UNGHARETTI, POETI I NATYRËS DHE SHPIRTIT

Giuseppe Ungaretti, ndër poetët më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ai është konsideruar si babai hermetizmit.

Giuseppe Ungaretti, ndër poetët më të mëdhenj italianë të shekullit XX. Ai është konsideruar si babai hermetizmit. Njihet si një ndër autorët që lidh ngushtë natyrën dhe shpirtin njerëzor.

“Ndjesia e kohës” është vëllimi i tij i dytë me poezi, botuar për herë të parë më 1933.

Marketing

Nëse në vëllimin e parë Allegria di naufragi (1919), ai theu të gjitha kanonet e përcaktuara të poezisë, metrikën, strukturën, leksikun, mendimin, duke e kthyer atë në një koncentrat të thukët dhe shpërthyes, ku me pak rreshta mëton të japë një gjendje të tërë shpirtërore e njerëzore, në këtë vëllim të dytë, ai i rikthehet poezisë së Giacomo Leopardi-t dhe Francesco Petrarca-s, stilit të përpunuar, leksikut të lartë thuajse klasik e hyjnor.

Tashmë siç shkruan dhe vetë Ungaretti: “Unë rilexoja përulësisht poetët, poetët që këndojnë. Nuk kërkoja vargun e Jacopone-s apo atë të Dante-s, as atë të Petrarca-s apo të Guittone-s e të Tasso-s, as të të Cavalcanti-t apo të Leopardi-t: tek ata kërkoja këngën […] këngën italiane, kërkoja këngën e gjuhës italiane në qëndrueshmërinë e saj përgjatë shekujve, përmes zërash kaq të larmishëm, me timbre kaq të ndryshme dhe shumë të kujdesshëm për risinë e tyre, zëra tepër të veçantë në shprehjen e mendimeve dhe të ndjenjave: ishte rrahja e zemrës sime që doja ta ndieja në harmoni me rrahjen e zemrës së më të mëdhenjve të një toke fort të dashur”.

Poezia “Kujtim i Afrikës” na çon në vendlindjen e poetit, i cili kishte lindur në Egjipt nga prindër italianë. Ai e kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme në Afrikë.

Autori frymëzimin më të madh duket që e ka marrë nga shkretëtira. “Ujdhesa” mbetet një prej poezive më të errëta të Ungaretti-t, e vështirë për t’u deshifruar, se ç’është ky vend, ky ishull ku nuk dihet se kush zbret, ndoshta poeti vetë, ndoshta frymëzimi, ndoshta muzat?

BURIMI: www.arsalbanica.mk