Shteti që synon krijimin e gjeneratës së joduhanxhinjve

Zelanda e Re ka shpalosur një sërë propozime, të cilat synojnë që ta bëjnë të paligjshëm konsumimin e duhanit për gjeneratën e ardhshme dhe çojnë drejt përmbushjes së qëllimit të vendit për t’u bërë shtet pa duhanxhinj deri më 2025.

Plani përfshin ngritje graduale të moshës ligjore për konsumim të duhanit, i cili mund të zgjerohet me ndalimin e tërësishëm të shitjes së cigareve dhe produkteve të duhanit për këdo që është lindur pas vitit 2004, duke e bërë faktikisht të paligjshëm konsumimin e duhanit për këtë gjeneratë.

Është duke u shqyrtuar gjithashtu reduktimi i theksueshëm i nivelit të nikotinës së lejuar në produktet e duhanit, nëpërmjet ndalimit të filtrave, caktimit të një çmimi minimal për duhanin dhe kufizimin e lokacioneve ku mund të shiten duhani e cigaret.

Marketing

“Kemi nevojë për një qasje të re”, ka thënë ministrja e asociuar e Shëndetësisë, Ayesha Verrall, duke i shpalosur ndryshimet. “Rreth 4.500 qytetarë të Zelandës së Re vdesin për çdo vit nga duhani dhe ne duhet që ta përshpejtojmë procesin për përmbushjen e këtij synimi (për një vend pa duhanxhinj deri më 2025)”.

Propozimet janë mirëpritur nga një sërë organizatash të shëndetit publik.

“Ky propozim shkon bukur përtej të ndihmuarit të njerëzve që të heqin dorë nga shprehia”, ka thënë shefja ekzekutive e “Cancer Society”, Lucy Elwood.

El-Shadan Tautolo, profesor i lëndës së shëndetit publik në Universitetin e Aucklandit për Teknologji, e ka quajtur planin “një pikë kthese”.

Megjithëkëtë, plani është ballafaquar edhe me kritika rreth pasojave të pasynuara potenciale, përfshirë gjasat për falimentim të pronarëve të dyqaneve të vogla, si dhe zgjerimin e tregut të zi për duhan.

Konsumimi i duhanit konsiderohet si njëri prej katër shkaktarëve kryesorë të vdekjeve nga kanceri në Zelandën e Re, vend ky ku numërohen rreth gjysmë milioni duhanxhinj aktivë.