Republika Çeke tha të hënën se dëbimi nga Rusia i 20 punonjësve të ambasadës Çeke në përgjigje të dëbimit nga Praga të 18 diplomatëve rusë ishte një reagim më i fortë se sa pritej dhe se qeveria do të shqyrtonte hapat e mëtejshëm. Republika Çeke i dëboi diplomatët rusë të shtunën, duke thënë se dyshonte se shërbimet ruse të zbulimit ishin përfshirë në një shpërthim të vitit 2014 në një depo municionesh.
Zyrtarët e qeverisë çeke thanë të hënën se nuk prisnin një përgjigje kaq të fortë të Rusisë ndaj masave për dëbimin e diplomatëve rusë nga Praga.
“Ata dëbuan më shumë diplomatë sesa numri i oficerëve të inteligjencës ruse që ne dëbuam. Ne prisnim një reagim sepse kështu funksionon diplomacia. Por, Republika Çeke nuk ka bërë asgjë, ne ishim viktimë e operacioneve të Rusisë. Duke marrë parasysh reagimin e fortë, ndoshta ata po tregojnë se nuk janë të kënaqur me faktin që forcat çeke të sigurisë mbyllën stacionet e Shërbimit të Jashtëm të Inteligjencës ruse (SVR) dhe të inteligjencës së ushtrisë ruse (GRU)”, tha Ministri i Jashtëm çek në detyrë, Jan Hamacek.
Zoti Hamacek shtoi se ai u kishte kërkuar ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian “një shprehje solidariteti” në një video konferencë të hënën.
“Kërkova nga aleatët dhe miqtë që të shprehnin solidaritet me ne. Dua të falenderoj ata që tashmë kanë folur për këtë çështje. Deklaratat kanë qenë të forta dhe inkurajuese. Kjo tregon se Republika Çeke ka aleatë, nuk është e vetme, dhe se ne do të ecim përpara me unitet”, tha ai.
Zoti Hamacek gjithashtu tha se Republika Çeke do të përqendrohej vetëm në sigurimin e vaksinave të aprovuara nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, pasi vendi kishte shqyrtuar më parë mundësinë e porositjes së vaksinës ruse Sputnik V.
Qeveria Çeke ka thënë se ka dyshime të arsyeshme se dy agjentë rusë të zbulimit, të akuzuar për përfshirje në incidentin e helmimit me një agjent nervor në Britani në vitin 2018, ishin përgjegjës për shpërthimin në një depo municionesh katër vjet më parë që shkaktoi vdekjen e dy personave.
Kjo është përplasja me e madhe mes Pragës dhe Moskës pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik dhe fundit të dominimit të tij në Evropën Lindore më 1989.
Dëbimi i diplomatëve vjen në një kohë kur ky vend i Evropës Qendrore ka hapur një tender për ndërtimin e një qendre të re të prodhimit të energjisë elektrike në Dukovany, pronë e kompanisë shtetërore CEZ, dhe çështja e përfshirjes apo jo e ofertës së një kompanie ruse tashmë ka ndarë ligjvënësit.
Shërbimet e sigurisë kanë kërkuar që kompania ruse Rosatom të përjashtohet nga tenderi për arsye sigurie, ndërsa Presidenti Milos Zeman dhe zyrtarë të tjerë të lartë e kanë mbështetur përfshirjen e rusëve.
Ministri çek i Industrisë Karel Havlicek, i cili më parë ishte në favor të përfshirjes së Rusisë, i tha agjencisë së lajmeve Reuters në një mesazh me celular se: “Shanset që (kompania) Rosatom të marrë pjesë në zgjerimin e projektit në Dukovany janë shumë të vogla.”/VOA