Ambientalistët gjermanë të Partisë së Gjelbër njoftuan të hënën se për herë të parë kjo forcë politike do të vërë kandidat për postin e kancelarit të vendit, duke prezantuar si kandidate për zgjedhjet kombëtare të shtatorit bashkë-kryetaren Annalena Baerbock, ndërsa blloku i qendrës së djathtë i kancelares Angela Merkel është zhytur në një konflikt të brendshëm për pushtet.
Emërimi i Baerbock u bë i ditur nga bashkë-kryetari tjetër i partisë, Robert Habeck, në një aktivitet të mirë-organizuar që nxirrte në pah kontrastin me ngërçin e tensionuar në bllokun e Kancelares Merkel.
Zgjedhjet parlamentare të 26 shtatorit janë të paparashikueshme, pjesërisht sepse kancelarja aktuale nuk po kërkon rizgjedhjen. Merkel u zotua në 2018 të mos kërkojë një mandat të pestë katër-vjeçar. Sondazhet e fundit kanë treguar që të Gjelbrit renditen të dytët pas Bashkimit Kristian Demokrat (CDU) dhe përpara Social Demokratëve, partia tjetër e fuqishme me pikëpamje të qendrës së majtë.
40-vjeçarja Baerbock ka qenë ligjvënëse në parlamentin kombëtar që nga viti 2013 por i mungon përvoja në udhëheqjen ekzekutive. “Demokracia mbahet gjallë nga ndryshimi,” tha Baerbock.
“Po, e vërtetë që nuk kam qenë kurrë kancelare ose ministre. Unë besoj tek rigjenerimi, të tjerët mbështesin status quo-në”. Ajo tha se dëshiron “një Gjermani në zemër të Evropës; një vend ku mbrojtja e klimës krijon bazën e ardhshme për begati, liri dhe siguri”.
Baerbock dhe Habeck kanë udhëhequr të Gjelbrit që nga fillimi i vitit 2018. Nën udhëheqjen e kësaj dysheje pragmatike dhe harmonike partia ka përjetuar rritje të popullaritetit në sondazhe. Të Gjelbrit janë në opozitë në shkallë kombëtare, por kanë zyrtarë në strukturat drejtuese lokale në 11 nga 16 landet e Gjermanisë. Sondazhet e fundit tregojnë mbështetje për partinë prej 20-22%, më shumë se dyfishi i 8.9% që siguroi në zgjedhjet e 2017-ës.
Kandidatura e Baerbock, kandidatja më e re që pretendon t’i zërë vendin Merkel dhe e vetmja grua, kërkon miratim nga kongresi i partisë në qershor. Ajo jeton në një rajon rural të Brandenburgut, ku dikur të Gjelbrit hasën vështirësi për të krijuar bazën e tyre, por tani janë pjesë e qeverisë lokale. Ajo ka ndjekur studimet për shkenca politike dhe të drejtën ndërkombëtare në Hamburg dhe Londër.
Të Gjelbrit muajin e kaluar prezantuan një program për të përshpejtuar braktisjen e energjisë nga qymyrguri në Gjermani, rritjen e shpenzimeve në infrastrukturë dhe tarifave për çlirimin e gazeve karbonike. Kjo forcë politike është pro-Bashkimit Evropian dhe mban një qëndrim të ashpër ndaj Rusisë, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund projektit të gazsjellësit Nord Stream 2.
Baerbock ka thënë se duhet të ketë një “pozicionim të përbashkët, të fortë evropian” ndaj Rusisë dhe Kinës me një kontribut të fortë nga Gjermania. “Ndaj forcave autoritare në veçanti, ne duhet të kemi një politikë të jashtme me objektiv të qartë … të dialogojmë, por edhe të jemi të ashpër në të njëjtën kohë”.
Pavarësisht nga rezultati i zgjedhjeve, ka shumë të ngjarë që të Gjelbërit të mbajnë çelësin për formimin e qeverisë së ardhshme të Gjermanisë. Kjo parti është bërë gjithnjë e më e hapur për aleanca me partitë e qendrës së djathtë dhe bën pjesë në nivel vendor në një sërë koalicionesh me përbërje nga më të ndryshmet. Ndërkaq, blloku i Kancelares Merkel është ende në pritje të një kandidati për kancelar. Guvernatorët e dy landeve më të populluara të Gjermanisë, Armin Laschet dhe Markus Soeder, po luftojnë për të marrë emërimin.
Laschet, udhëheqës i Kristian Demokratëve (CDU) të Merkel dheSoeder, drejtues i partisë bavareze si-motër, deklaruan më 11 prill synimet për të konkuruar, duke zgjuar shqetësime tek shumë përkrahës se kjo mund të sillte një dëm të konsiderueshëm në koalicion. Laschet dhe Soeder janë guvernatorë përkatësisht të Nordrhein-Westfalen dhe Bavarisë. Soeder ka vlerësime shumë më të mira në sondazhe, por Laschet është udhëheqësi i zgjedhur së fundmi i një partie shumë më të madhe. Një javë më parë, Laschet arriti të sigurojë mbështetjen e udhëheqjes së CDU për kandidaturën e tij.Por Soeder tha se çështja nuk duhet të zgjidhet vetëm me diskutime “në një kthinë të vogël”.
Disa në partinë e Kancelares Merkel favorizojnë Soeder, ndërsa të tjerët janë të shqetësuar nga makinacionet e tij për pushtet. Të dielën në mbrëmje, udhëheqësit e krahut rinor të Bashkimit Kristian Demokrat u shprehën për Soeder. Të hënën në mbrëmje, Laschet thirri në takim udhëheqjen e CDU, duke thënë se planifikon të propozojë se si të zgjidhet mosmarrëveshja. “Shpresoj se mund të marrim vendimet e nevojshme shumë shpejt, këtë javë,” u tha ai gazetarëve. Soeder tha se, pas një jave bisedimesh, i takon partisë më të madhe të vendosë se kë do të mbështesë.
“Nëse CDU merr një vendim të qartë këtë mbrëmje, ne do ta respektojmë atë,” tha ai në Mynih. “CDU është motra jonë më e fortë dhe më e madhe dhe vetëm ajo mund të vendosë nëse ekziston vërtetë kjo shumicë e gjerë (për Soeder)”. Social Demokratët, nga radhët e të cilëve kanë dalë tre nga tetë kancelarët e Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore, por prej disa kohësh nuk gëzojnë popullaritet të madh, emëruan Ministrin e Financave Olaf Scholz si kandidatin e tyre për kancelar muaj më parë.