Greqia heq karantinën për turistët, mjafton vaksinimi ose testi negativ

Nuk do të ketë më detyrim karantinimi për ata që shkojnë në Greqi.

Autoritetet vendore kanë hequr masën për të gjithë turistët që vijnë nga vendet e Bashkimit Europian, zonës Shengen, Mbretërisë së Bashkuar, por dhe nga Serbia, Izraeli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Marketing

Përjashtohet vetëm Shqipëria, që është i vetmi vend në rajon, shtetasit e të cilit duhet të karantinohen për dy javë.

Ata që hyjnë në vend duhet gjithsesi të kenë një rezultat negativ të testit për Covid i cili duhet të jetë kryer maksimumi deri në 72 orë para, ose një certifikatë vaksinimi.

Për momentin mbeten në fuqi të gjitha rregullat e tjera, si ora policore nga 21 deri në 5 të mëngjesit, çdo ditë. Baret, restorantet, qendrat sportive dhe vendet kulturore vazhdojnë të jenë të mbyllura.

Do të jetë e mundur të vizitohen vetëm zonat arkeologjike pasi janë në ambient të hapur. Mund të vijojnë aktivitetin qendrat estetike, parukieritë dhe dyqanet. Mund të frekuentohet plazhi, por nuk do të ketë bare të hapura.

Certifikata është falas dhe është një kod që duhet mbajtur në telefon apo printuar në një letër, me tre alternativa në mënyrë që të dëshmosh se mund të udhëtosh: vaksinimi, negativiteti i testit për Covid, apo shërimi nga Covid dhe pasja e anti trupave.

Greqia ndërkohë është gati për t’u rihapur. Athina ka përgatitur një plan për të imunizuar të gjithë banorët e rreth 70 ishujve dhe askush nuk do të braktiset. Aktualisht vendi shënon 315 mijë raste me Covid dhe 9400 viktima.

Qëllimi është që territori grek të jetë i sigurt. Në 14 maj do të mund të nisë sezoni turistik ashtu si ishte premtuar dhe nga qeveria. Një sfidë shumë e rëndësishme meqenëse shumë struktura kanë filluar të pranojnë prenotime.

Sektori i turizmit në Greqi i jep një vend pune një personi në pesë, duke u bërë dhe pjesa më e madhe e të ardhurave të shtetit. Vera do të jetë një moment i rëndësishëm për një rikthim të ngadaltë në normalitet.