Video takim i Kryetarit Xhaferi me Bergman dhe Broz

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Talat Xhaferi, realizoi video takim me raportuesit nga Kongresi i Pushteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës për Demokraci Lokale në Maqedoninë e Veriut, z. Harold Bergman nga Holanda dhe z. Zdenek Broz nga Republika e Çekisë. Në takim ishte e pranishme edhe kryetarja e Komisionit të Pushtetit Lokal, znj. Ane Llashkoska.
Raportuesit interesoheshin për punën rrjedhëse të Kuvendit që ka të bëjë me çështjet e vetadministrimit lokal dhe në këtë drejtim, Kryetari Xhaferi informoi për Strategjinë e zhvillimit rajonal 2021-2023, të miratuar nga Kuvendi në fillim të prillit, si dokument plani me të cilin përcaktohen prioritetet e zhvillimit rajonal në shtet dhe definohen masat dhe mjetet financiare për realizimin e tyre. I njoftoi se Kuvendi i miratoi edhe ndryshimet e Kodit Zgjedhor me të cilat u shtynë zgjedhjet lokale prej gjysmës së parë në gjysmën e dytë të tetorit dhe shprehu pritjen se Delegacioni i Kongresit të Pushteteve Lokale dhe Rajonale i Këshillit të Evropës do i monitorojë zgjedhjet lokale.
Duke folur për rolin e Komisionit të Pushtetit Lokal, znj. Llashkoska theksoi se jemi një ndër shtetet e rrallë që ka Ministri të Pushtetit Lokal dhe në linjë me të edhe Komision dhe shprehu shpresë se Ligji për zhvillim të barabartë rajonal i miratuar para do kohe, do të kontribuojë në rigjallërimin e fshatrave dhe zhvillimin e rajoneve me nevoja specifike zhvillimore a me këtë do të parandalohet shpërngulja nga mjediset rurale.
Bashkëbiseduesit këmbyen mendime edhe rreth decentralizimit fiskal, për burimet e financimit të komunave, si edhe për punën në kushte pandemie.
Kryetari Xhaferi theksoi se edhe krahas sfidave me të cilat ballafaqohemi për shkak të pandemisë dhe përpjekjeve për zbutjen e efekteve mbi ekonominë, punohet me përkushtim në ndërtimin e sistemit të decentralizuar funksional, me qëllim që të përmirësohet cilësia e shërbimeve publike dhe të përshpejtohet rritja dhe zhvillimi ekonomik. Me këtë rast, ai theksoi se ndihma dhe mbështetja nga partnerët ndërkombëtarë është me rëndësi të jashtëzakonshme.
Kongresi i Pushteteve Lokale dhe Rajonale është institucion i Këshillit të Evropës, përgjegjës për përforcimin e demokracisë lokale dhe rajonale në 47-vendet anëtare të saj dhe për vlerësimin e zbatimit të Kartës Evropiane për Pushtet Lokal, si marrëveshje ndërkombëtare kryesore për mbrojtjen e të drejtave të pushteteve lokale dhe rajonale. Raporti i fundit për Republikën e Maqedonisë së Veriut është përpiluar në vitin 2021.

Marketing