Dhjetëra artistë, përfshirë DiCaprio i kërkojnë Bidenit të “mos nënshkruajë marrëveshje klimatike me Brazilin”

Tridhjetë e pesë artistë dhe aktorë, përfshirë Leonardo DiCaprio, Jane Fonda dhe Joaquin Phoenix, i shkruan një letër presidentit të SHBA-së, Joe Biden duke i kërkuar të mos nënshkruajë marrëveshjen e klimës me Brazilin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Artistët i shkruan administratës së Bidenit përpara Samitit të Liderëve në internet me temë klimën, ku rreth 40 udhëheqës shtetesh ose qeverie, përfshirë presidentin brazilian Jair Bolsonaro, do të takohen më 22-23 prill.

Në letër, artistët theksuan se janë me popullin brazilian dhe organizatat joqeveritare, të cilët janë të shqetësuar për një marrëveshje të mundshme klimatike me Bolsonaron dhe i bënë thirrje administratës së Bidenit të “dëgjojë zërin e popullit brazilian dhe të mos bëjë asnjë marrëveshje me këtë vend”.

Marketing

“Ne ndajmë shqetësimet tuaja në lidhje me veprimet urgjente që duhet të ndërmerren në lidhje me kërcënimet ndaj Amazonit, klimës sonë dhe të drejtave të njeriut. Por, marrëveshja me Bolsonaron nuk është zgjidhje”, thuhet në letrën e artistëve.

Më tej Bolsonaro akuzohet për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe dëmtimin e pyjeve në vend.

Ministri brazilian i Mjedisit, Ricardo Salles në shkurt tha se po kërkonin mbështetje financiare nga SHBA-ja për mbrojtjen e Amazonit.

Salles më 14 prill njoftoi se kërkuan ndihmë prej 1 miliard dollarë nga vendet perëndimore për të zvogëluar problemin e shpyllëzimeve në vend me rreth 30-40 për qind në vit.

Ambasadori amerikan në Brazil, Todd Chapman njoftoi në të njëjtën ditë se mjedisi është çështja më e ngutshme në marrëdhëniet bilaterale me Brazilin dhe do të diskutohet në Samitin e Klimës.

Presidenti amerikan, Joe Biden në samitin online të klimës më 22-23 prill ka ftuar 40 udhëheqës botërorë, përfshirë edhe presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.



. .