Ditë historike për Shkupin: Pas shumë dekadave fillon zyrtarisht procedura për ndërtimin e BRT

Me nënshkrimin e sotëm të marrëveshjes së huasë ndërmjet Qytetit të Shkupit, Ministrisë së Financave në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, zyrtarisht filloi procedura për ndërtimin e sistemit BRT për transport të shpejtë të autobusëve në Shkup. Marrëveshja e huasë u nënshkrua nga Kryetari Petre Shilegov, Ministri i Financave, Fatmir Besimi dhe Drejtori i Zyrës së BERZH-it në Shkup, Andi Aranitasi,ndërsa i pranishëm në aktin e nënshkrimit të këtij dokumenti të rëndësishëm ishte edhe Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski .
– Po realizojmë ëndrrën 40-vjeçare të qytetarëve të Shkupit për tramvaj, duke siguruar një sistem më të mirë se tramvaji në përputhje me kushtet që i mundëson Shkupi i sotëm. Ne jemi krenar që Shkupi është qyteti i parë në Ballkan që fut një sistem BRT, i cili është jo vetëm sukses për qytetin, por edhe sukses për të gjithë vendin tonë. Shkupi fiton transport publik të shpejtë, të sigurt dhe të qëndrueshëm, i cili do të jetë mjaft tërheqës dhe do të mundësojë zvogëlimin e drejtpërdrejtë të bllokimit të trafikut, dhe kështu indirekt do të zvogëlojë ndotjen e ajrit në pjesën e trafikut. Rritja e shpejtësisë dhe disponueshmërisë së transportit publik do të nënkuptojë pa dyshim rritjen e numrit të udhëtarëve që përdorin transportin publik në Shkup – tha sot kryetari Shilegov.
Ai shpjegoi se ekipet e Qytetit të Shkupit dhe NQP deri më tani kanë punuar në përgatitjen e dokumentacionit teknik për këtë sistem.
-Linja 1 (në lindje – perëndim, nga Gjorçe Petrov përmes Qendrës deri në Lisiçe të re) prej 12,81 km dhe 21 stacione autobusi, është planifikuar edhe Linja 2 (në veri-jug nga stacioni hekurudhor në bul.Bosnja dhe Hercegovinë deri te bul.Boris Trajkovski) në gjatësi prej 10.4 km me 20 stacione autobusi. Dy linjat takohen në Qendër. BRT mundëson zvogëlimin e kohëzgjatjes së transportit të udhëtarëve dhe zvogëlimin e ndotjes së ajrit. Me zbatimin e fazës së parë, rruga nga Gjorçe Petrov deri në Lisiçe të re me gjatësi prej 12,81 km në një drejtim, 21 stacione autobusi dhe 2 terminale, koha e udhëtimit nga 70 minutat aktuale do të ulet me më shumë se 50 përqind, gjegjësisht koha e nevojshme që një automjet të kalon rrugën nga Gjorçe Petrov deri në Lisiçe të re ose anasjelltas do të jetë 35 minuta –tha Shilegovi
Autobusët nga sistemi BRT do të jenë me lëvizje hibride të gazit dhe energjisë elektrike dhe me një gjatësi prej 18 metrash, dhe i gjithë sistemi është vendosur në mënyrë që në të ardhmen të mund të pranojë automjete 24 metra.
– Është e rëndësishme të theksohet se në kuadër BERZH, ky projekt është regjistruar si një projekt i gjelbër, është financuar brenda rrjetit të qyteteve të gjelbërta, në të cilin Shkupi është anëtar që nga viti 2019. Ky është një nga projektet kryesore që janë pjesë e Planit të Veprimit për qytet të gjelbër që ne kemi përgatitur me ndihmën e BERZH. Gëzohem që kjo në një farë mënyre është një verifikim i politikave mjedisore që ne po krijojmë si administratë e qytetit dhe që pas disa dekadash ky projekt strategjik për qytetin do të fillojë të zbatohet përfundimisht. Mbetemi të përkushtuar jo vetëm për promovimin e lëvizshmërisë së qëndrueshme urbane në qytet, e cila është një lloj garancie për zhvillimin urban të qytetit dhe përmirësimin e përgjithshëm të cilësisë së jetës së bashkëqytetarëve tanë – theksoi sot kryetari Shilegov.
Për Ministrin e Financave, Fatmir Besimi, nisma të këtilla për krijimin e një ekonomie më të gjelbër, më gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme përkojnë me rimëkëmbjen ekonomike nga kriza Covid, dhe përfitimet për ekonominë tonë janë të shumëfishta.
– Për realizimin e këtij projekti, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të sigurojë një kredi prej 70 milion euro, në dy këste – në këstin e parë në vlerë prej 47.6 milion euro për financimin e linjës 1 dhe këstin e dytë në shumën prej 22.4 milion Euro për financimin e linjës 2. Periudha e ripagimit të këstit të parë dhe të dytë është 15 vjet, përfshirë një periudhë grejs prej 4 vjetësh. Norma e interesit është e ndryshueshme dhe përbëhet nga Euribor plus 1 përqind. Përveç huasë, BERZH do të japë një grant për mbështetje teknike për Qytetin e Shkupit dhe Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve për zbatimin e të gjithë projektit – tha Besimi.
Sipas Ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, tipar i çdo metropole është rrjeti i zhvilluar i transportit që ofron transport të shpejtë dhe efikas midis të gjitha pikave në qytet, dhe Shkupi e meriton këtë.
– Mjetet e ndara nga kjo hua do të përdoren për hartimin dhe ndërtimin e korridoreve rrugore, për rindërtimin e bulevardeve në qytet, për ndërtimin e stacioneve të autobusëve, për ndërtimin e dy depove duke përfshirë një ndërtesë administrative, si dhe për prokurimin e autobusëve me dysheme të ulët. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve me mbështetjen e saj do të mundësojë realizimin në kohë të këtij projekti – tha Bochvarski.
Drejtori Andi Aranitasi shpjegoi sot se Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Qyteti i Shkupit filluan partneritetin në vitin 2019 kur banka pranoi Qytetin e Shkupit në familjen e saj të qyteteve të gjelbërta, e cila aktualisht numëron 45 qytete nga 23 vende.
– Prej atëherë, Qyteti i Shkupit ka punuar shumë për të përgatitur plan veprimi për qytetet e gjelbërta që i identifikon investimet prioritare dhe politikat që synojnë përballjen e sfidave mjedisore të kryeqytetit. Nga viti 2019, ky është projekti i tretë i financuar nga BERZH në Shkup, pas projektit për prokurimin e autobusëve të rinj me gaz të kompresuar dhe ndërtimin e stacionit pastrues për ujërat e ndotura i cili pritet të fillojë vitin e ardhshëm – tha Aranitasi.

Marketing