Dy vëllezër nga Saraji me test PCR të falsifikuar tentuan ta lëshojnë shtetin

Prokuroria Publike në Shkup ka parashtruar propozim për shqiptim të gjobës kundër dy vëllezërve nga Saraji, të moshës 24 dhe 26-vjeçare, për shkak se kanë kryer veprën penale – mosveprim sipas protokolleve shëndetësore në kohë epidemie të nenit 206 të Kodit Penal.

Marketing

Ata, edhe pse të infektuar me Covid-19 dhe në izolim shtëpiak, me teste PCR negative të falsifikuara kanë tentuar të dalin nga shteti nëpërmjet Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit.

“Edhe pse me vendim të Inspektoratit shtetëror sanitar-shëndetësor, nga 5 prilli të dy të akuzuarve u është shqiptuar izolimi i detyrueshëm dhe mjekim në kushte shtëpiake, si të sëmurë nga Covid-19, ata më 7 prill me fluturim nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit janë përpjekur ta lëshojnë shtetin. Pas kësaj, para shërbimeve të autorizuara në Aeroport kanë treguar të dhëna të rrejshme për test PCR negativ për koronavirus, gjoja i dhënë nga laboratori në Shkup në ditën e njëjtë kur kanë marrë rezultatin pozitiv. Edhe pse e kanë ditur se një certifikatë e tillë nuk është dhënë nga laboratori i potencuar, ata sërish vërtetimet i kanë përdorur si të vërteta, me çka kanë kryer dy vepra penale”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Nga Prokuroria gjithashtu njoftojnë, se prokurori publik kompetent i ka propozuar Gjykatës Penale në Shkup që të dy vëllezërit të sanksionohen me nga 50 gjoba ditore, ku një gjobë ditore kap vlerën prej 40 eurove.