Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, pas takimit me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla në një dalje për media u pyetën edhe në lidhje me non-paper-in nga Sllovenia. Osmani potencoi se ai dokument është refuzuar nga Sllovenia dhe nuk duhet të biem në kurthin e lidhjes së autorësisë me atë dokument me Slloveninë.
“Unë kam një qëndrim se nuk duhet të biem në kurthin e lidhjes së autorësisë me atë dokument me Slloveninë për shkak se një gjë e tillë është demantuar është refuzuar nga Sllovenia mike. Sllovenia është presidentja e radhës e Këshillit të Bashkimit Evropian një mike e rajonit dhe mbështetëse e integrimit dhe perspektivës Evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe prandaj nuk mendoj që është korrekte ta lidhim këtë dokument me Slloveninë. Sa i takon përmbajtjes qëndrimi jonë ka qenë i prerë se në Ballkan janë përdorur shumë modele në trajtimin e çështjeve etnike janë disa modele që deri më tani janë treguar të suksesshme dhe unë mendoj që Marrëveshja e Ohrit, pavarësia e Kosovës, perspektiva euro-atlantike e rajonit janë treguar si modele të suksesshme në rajon dhe mendojmë që alternativa e vetme për paqe të qëndrueshme është zgjerimi i NATO-s më tutje në rajon dhe integrimi i tërë rajonit në Bashkimin Evropian”, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani.
“E kemi ndjekur me shumë shqetësim daljen në media të letrave të tilla të cilat thjeshtë vetëm përmendja e tyre është tepër e rrezikshme për rajonin. Ne kemi pasur edhe në vitin 2018 kemi pasur tendenca për gjetjen e zgjidhjes në shkëmbime të territoreve në ndarje të vendit në bazë të linjave të vijave etnike. Për ne është shumë e qartë nuk është asnjë opsion ajo çfarë shkruhet nëpër letrat të tilla pavarësisht ku janë autorët dhe pavarësisht a janë menduar vetëm thjeshtë si teza për t’u diskutuar apo për t’u implementuar. Qëndrimi jonë është i qartë që e shohim të rrezikshëm dhe do të duhej të gjitha palët të ishim shumë të kujdesshme sepse në këtë formë nxiten konflikte të reja”, tha Donika Gërvalla – ministre e Punëve të Jashtme e Kosovës.