Ushtria amerikane po dërgon ndihmë ajrore për të ndihmuar kërkimet e Indonezisë për një nëndetëse të zhdukur me 53 pjestarë të ekuipazhit.
Autoritetet indoneziane vlerësojnë se u kanë mbetur vetëm disa orë për të gjetur nëndetësen e marinës para se të mbarojë oksigjeni. KRI Nanggala 402 u zhduk të mërkurën gjatë ushtrimeve në brigjet e Balit.
Ushtria indoneziane deklaroi se gjatë natës se kishte zbuluar shenja të një objekti në një thellësi prej 50 dhe 100 metrash dhe kishte vendosur anije me pajisje, me shpresën se ishte KRI Nanggala 402.
Të paktën gjashtë anije luftarake, një helikopter dhe 400 persona janë përfshirë që nga atëherë në kërkim. Singapori dhe Malajzia kanë dërguar anije në zonë dhe Australia, Franca dhe Gjermania gjithashtu kanë ofruar ndihmë.
Anija e ndërtuar nga Gjermania është një nga pesë nëndetëset që operohen nga Indonezia. Ajo është bërë në fund të viteve 1970 dhe iu nënshtrua një riparimi dy-vjeçar në Korenë e Jugut që përfundoi në 2012.
Ky incident është hera e parë që ndodh në Indonezi por incidente të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera.
Në vitin 2000, Kursk, një nëndetëse ruse, u fundos gjatë manovrave në Detin Barents ku humbën 118 persona nga ekuipazhi. Gjithashtu edhe në vitin 2017, një nëndetëse ushtarake argjentinase u zhduk në Atlantikun Jugor me 44 ekuipazh në bord.