Autoritetet franceze kanë marrë në pyetje personin e pestë në hetimin antiterrorist duke kërkuar identifikimin e bashkëpunëtorëve dhe motivet e mundshme pasi një zyrtare e policisë u godit për vdekje me thikë në një stacion policie në periferi të Parisit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Policia franceze vrau sulmuesin tunizian 37-vjeçar pak pasi ai goditi me thikë punonjësen e paarmatosur administrative të premten në hyrje të stacionit të policisë në komunën Rambouillet.
Në një konferencë shtypi të dielën, prokurori i antiterrorizmit Jean-Francois Ricard tha se policia po merr në pyetje një kushëri të të dyshuarit.
Babai i të dyshuarit, një çift që i ka ofruar adresë të postës dhe një kushëri tjetër gjithashtu janë marrë në pyetje, tha Ricard.
Sulmuesi, i identifikuar nga autoritetet si Jamel G., hyri në Francë në mënyrë të paligjshme në vitin 2009 dhe i mori letrat e qëndrimit në fund të vitit 2019, tha Ricard. Ai ishte një musliman praktikues sipas babait të tij, shtoi Ricard.
Burri nuk kishte të dhëna kriminale ose prova të radikalizimit, tha Ricard, duke theksuar se hetimet po zhvillohen për të përcaktuar nëse dikush e ka ndihmuar ose frymëzuar sulmuesin, në “koordinim të ngushtë” me autoritetet gjyqësore tuniziane.