Të gjitha institucionet kishin një pasqyrë të plotë dhe të detajuar të planit të shpërndarjes së administratorëve të punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, sqaron Qeveria.
“Sipas planit, Inspektorati i Tregut duhet të marrë përsipër 32 punonjës, nga të cilët 29 në pozicionin e bashkëpunëtorit të ri dhe tre në pozicionin e referentit të ri. Nga inspektimi i profilit arsimor të personave të përfshirë në Planin e shpërndarjes, u përcaktua se 24 punonjës që duhet të merren në punë nga kategoria e bashkëpunëtorit të ri, i plotësojnë kushtet e përgjithshme, speciale, përkatësisht kushtin që arsimi të jetë i përshtatshëm për vendin e punës. Kjo do të thotë që këta njerëz mund të merren si zyrtarë administrativë”,- theksojnë nga Qeveria.
Por, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski, kundërshtoi sistematizimin e këtyre të punësuarve, duke mos e respektuar fillimisht kërkesën e zëvendëskryeministrit, Artan Grubi, e më pas edhe të vet kryeministrit, Zoran Zaev, pas çka ky i fundit paralajmëroi shkarkimin e tij.
Zaev pret që shkarkimi të iniciohet nga zëvendëskryeministri, Ljupço Nikollovski. Por, punonjësit e Inspektoratit Shtetëror të Tregut kanë dalë në mbështetje të drejtorit Paunovski.
Ata kanë kërkuar për të hënën takim me kryeministrin që t’i paraqesin peticionin kundër shkarkimit të Paunovskit.