Anthony William Preston nga Chicagoja e SHBA-ve e mbrojti disertacionin e doktoratës në Universitetin e Tetovës

Anthony Preston e mbrojti me sukses disertacionin e doktoratës (19.04.2021) me temë: “Mbrojtja e interesave të Shteteve të Bashkuara në radhë të parë”.
Komisioni në përbërje Prof. Dr. Jusuf Zejneli-kryetar, Prof. Dr. Drita Mamuti-Fazlija-anëtar, Prof. Dr. Shefik Sehu-anëtar. Prof. Dr. Ferat Polisi-anëtar dhe Prof. Dr. Faton Shabani-anëtar vlerësoi se tema të cilën e ka punuar kandidati i takon periudhës së afërt, prandaj nuk është trajtuar gjerësisht nga studiuesit deri tani dhe do të shërbejë si nxitje në të ardhmen që të hulumtohet më thellësisht nga studiues të tjerë.
Sipas komisionit, kandidati ka shfrytëzuar burime relevante, dokumente, intervista me personalitete të njohura, të cilat e bëjnë temën të rezistueshme nga kritikat shkencore. Ai ka bërë krahasim të burimeve të ndryshme, të cilave u është qasur në mënyrë shkencore, ndërsa e veçanta e kësaj teme qëndron në faktin se kandidati ka arritur të realizojë intervista me disa nga njohësit e mirë të ngjarjeve dhe zhvillimeve, të cilat trajtohen në temë.
Me punën e tij, kandidati ka bërë përpjekje për të dhënë pasqyrë sa më të plotë të ngjarjeve, të cilat lidhen me temën dhe e njëjta përbën kontribut të çmueshëm jo vetëm për fushën juridike, por edhe për historinë e marrëdhënieve amerikano-shqiptare të periudhës më të re, duke shërbyer kështu si pikënisje për thellimin dhe zgjerimin e hulumtimeve për njërën ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Anthony William Preston është lindur më 17 prill 1988 në Chicago Illinois, SHBA, ku e ka kryer arsimin fillor dhe atë të mesëm.
Studimet themelore i ka kryer në maj të vitit 2010, në Northern Illinios University, DeKalb, SHBA . Gjatë periudhës së studimeve, ai një vit studimor e ka kryer në Romë të Italisë dhe ka shfaqur përkushtim të gjerë akademik dhe shoqëror, prandaj edhe iu besua detyra e presidentit të asociacionit studentor për regjionin e Great Lakes-it në kuadër të Fakultetit të Biznesit të Northern Illinois University.
Pas kryerjes së studimeve themelore, z. Anthony Preston po të njëjtin vit i ka regjistruar studimet e ciklit të dytë të studimeve në nivelin master, në të njëjtin universitet dhe njëkohësisht ka punuar si ndihmës studentor në Zyrën e Dekanatit të Fakultetit të Biznesit, duke qenë përgjegjës për studentët e huaj dhe delegacionet ndërkombëtare. Në kuadër të bashkëpunimit ndëruniversitar midis NIU-së dhe Universitetit të Bordosë në Francë, ai realizon vizitë studimore në Bordo dhe në vitin 2011 i kreu me sukses të shkëlqyer studimet e masterit dhe pajiset me diplomë të dyfishtë nga Northern Illinois University dhe Universiteti i Bordosë.
Menjëherë pas kryerjes së masterit, z. Preston, si student i dalluar, punësohet në Fakultetin e Biznesit në NIU, duke udhëhequr me programin global dhe ndihmësdrejtor i programit të masterit MBA. Në vitin 2014, ai emërohet drejtor i programit global në Fakultetin e Biznesit, duke punuar në rrjetëzimin e këtij fakulteti me fakultet simotra në mbarë botën. Në kuadër të këtij roli, z. Preston i mban meritat kryesore edhe me bashkëpunimit ndëruniversitar midis Northerbn Illinoi University dhe Universitetit të Tetovës.
Në vitin 2018, z. Preston emërohet drejtor ekzekutiv i programeve ndërkombëtare në nivelin master midis Fakultetit të Biznesit të NIU-së dhe fakulteteve simotra në Bogota të Kolumbisë dhe Nanjing në Kinë, ndërsa nga qershori i vitit 2020 ai e ushtron pozitën e ndihmës-dekanit të Fakultetit të Biznesit në NIU.
Studimet e doktoratës në programin studimor Historia e institucioneve dhe shteti i së drejtës, drejtimi: Marrëdhënie ndërkombëtare dhe histori e diplomacisë i ka regjistruar në vitin akademik 2015/16 në Universitetin e Tetovës nën udhëheqjen e Prof. Dr. Fehari Ramadanit, duke i kryer me sukses provimet dhe konferencat doktorale, të parapara me Rregulloren për studimet e doktoraturës të Universitetit të Tetovës.

Marketing