18:15 | 27 Prill 2021
18:15 | 27 Prill 2021
Trajneri i Manchester Cityt Pep Guardiola ka thënë që mënyra se si ta bllokojë Neymarin gjatë ndeshjes kundër Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve, ka mjaftuar që ta mbajë atë zgjuar natën.
Guardiola mendon që skuadra e tij duhet të jetë më agresive në lojë, të përshtatet dhe jo vetëm të fokusohen në bllokimin e yjeve si Neymar e Kylian Mbappe, përcjell KosovaPress.
“Është i mahnitshëm kualiteti i lojtarëve që ata kanë. Strategjitë defensive, për t’i bllokuar ata nuk janë të suksesshme. Ata janë shumë të mirë”, tha Guardiola.
“U mundova që të fle mirë mbrëmë, dhe kam fjetur, kur nuk e kisha mendjen tek ta. Ata janë shumë lojtarë të fortë, kualiteti që posedojnë dhe mënyra se si luajnë, ne do të mundohemi që t’i ndalim ata duke u mbrojtur së bashku si ekip, dhe të luajmë mirë si ekip”, shtoi ai.
Manchester City do të zhvillojë ndeshjen e parë si mysafirë kundër PSG në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kampionëve, ku të dy këto skuadra do të kërkojnë me ngulm kualifikimin, pasi që asnjëra nga to se ka fituar asnjëherë këtë kompeticion.