Osmani u dërgoi letra ministrave të BE-së dhe 50 eurodeputetëve

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, si pjesë aktivitetit të përforcuar diplomatik e në kontekst të integrimeve evropiane të vendit u dërgoi letra shumë qendrave politike në kuadër të BE-së: homologëve të tij, Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare në BE, Kryetarëve të grupeve politike në Parlamentin Evropian, anëtarëve të Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian- AFET, si dhe deputetëve të PE, të cilët janë pjesë e grupit joformal të miqve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe deri te përfaqësues tjerë të institucioneve në BE.

Marketing

“Këtë vit shënohet 20 vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes për stabilizim dhe asociim midis Maqedonisë së Veriut dhe BE dhe 16 vjet prej kur kemi marr statusin e vendit kandidat. Vendimi historik nga marsi i vitit të kaluar, që BE t’i hapë bisedimet për aderim të Maqedonisë së Veriut erdhi si rezultat i arritjeve të rëndësishme në reforma dhe vendime të guximshme që lidershipi dhe qytetarët e Maqedonisë së Veriut i sollën si konfirmim i orientimit strategjik të cilin kemi zgjedhur. Marrëveshja historike e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja e miqësisë me Bullgarinë ishin përcaktuesi kryesor dhe kapsolla iniciale që i hapi dyert e të ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut, por njëkohësisht dhanë inkurajim edhe për të gjitha vendet tjera të Ballkanit Perëndimor”, thekson Osmani në letër.

Më tutje Osmani shkruan: “Miratimi i Kornizës negociuese dhe thirrja e Konferencës së parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut u bë pikë e fortë simbolike drejt së cilës janë drejtuar të gjithë shikimet e qytetarëve tanë dhe të të gjithë rajonit, që i ngrit në nivel të testimit të kredibilitetit të BE-së në raport me të gjithë Ballkanin Perëndimor. Për këtë arsye, fillimi i këtij procesi të fokusuar ndaj reformave, metodik dhe teknik, do të përçojë sinjal të fortë inkurajues, deri te shoqëria jonë dhe në të gjithë rajonin, duke ruajtur njëherazi kushtëzimin e fortë të vendosur me metodologjinë e re, e cila vendos mbikëqyrje politike më të fortë nga ana e vendeve anëtare dhe reverzibilitet të procesit”.