Pavlina Crvenkovska zgjidhet kryetare e re e Këshillit Gjyqësor

Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë së Veriut me 12 vota “për”, e ka zgjedhur Pavlina Crvenkovskën për kryetare të re.

Marketing

Pas zgjedhjes, Crvenkovska tha se detyrën e saj do ta kryejë me profesionalizëm dhe se kjo përbërje e këshillit, nën udhëheqjen e saj do të bëjë përpjekje maksimale për ta rritur besimin e qytetarëve tek gjyqësia, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Përbërja e këtij Këshilli Gjyqësor, me mua si kryetare, do të bëjë gjithçka, do të bëjë çdo përpjekje për të ngritur dinjitetin e sistemit gjyqësor, të paktën një shkallë për të rritur besimin e qytetarëve në gjyqësor. Është koha të tregojmë se ky sistem gjyqësor dhe me këtë Këshill Gjyqësor mund të bëjnë shumë, pasi kanë njohuri dhe kapacitet”, tha Crvenkovska.

Pavlina Crvenkovska u zgjodh anëtare e Këshillit Gjyqësor nga Kuvendi në dhjetor të vitit të kaluar. Nga viti 2006 deri në vitin 2020 ajo ka punuar si këshilltare gjyqësore në Gjykatën e Apelit në Shkup.

Nga viti 2004 deri në 2006 ajo ka punuar si këshilltare shtetërore në Qeveri dhe gjithashtu ka punuar si shefe e departamentit në Ministrinë e Mbrojtjes. Nga viti 1998 deri në vitin 2002 ajo ka punuar si avokate dhe nga viti 1996 deri në vitin 1998 si Sekretare e Përgjithshme e Odës së Kapitalit Privat të Republikës së Maqedonisë.

Sipas Ligjit të ri për Këshillin Gjyqësor, i cili hyri në fuqi vitin e kaluar, zgjedhja e Kryetarit të Këshillit Gjyqësor bëhet nga anëtarët e këshillit me të drejtë vote e që zgjidhen nga Kuvendi, për një mandat prej dy viteve, pa të drejtë për rizgjedhje.