Shkodër: A do e fitojnë mandatin Bardh Spahia dhe Ilir Beqaj?

Rezultate interesante nga votimet emërore në listen e Shkodrës si për Partinë Demokratike ashtu edhe për atë Socilaiste.

Në krahun demokrat, që ka fituar 5 mandate me 47,205 vota, më i votuari është Zef Hila, i renditur i pesti në listën e PD-së së Qarkut. Hila ka marrë 5404 vota deri më tani kur janë numëruar rreth 30 mijë vota.

Nga deputetët demokratë që mbeten jashtë listës më i votuari është Bardh Spahia me 5036 vota (rreth 16% të votave të numëruara). Megjithëse është i dyti më i votuar në këtë qark, duket e pamundur që me votat e mbetura (rreth 17 mijë) ai të marrë mandatin e deputetit pasi i duhen edhe 4,400 vota, ose rreth 25% të votave të mbetura. Duket një betejë pothuaj e pamundur.

Marketing

Duket që në Parlamentin e ardhshëm deputetët shkodranë do të jenë:  Helidon Bushati, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli dhe Zef Hila.

Nga ana tjetër, në kampin socialist prin Paulin Sterkaj me 5535 vota. Nga rezultatet e deritanishme duket se ish Ministri I Shëndetësisë dhe Drejtuesi i qarkut Shkodër për Partinë Socialiste Ilir Beqaj do të mbetet jashtë Parlamentit të ardhshëm. Kur janë numëruar 17695 vota nga 30 mijë që ka në total Partia Socialiste zoti Beqaj numëron vetëm 2371 vota. Për të thyer herësin prej 10 mijë votash z.Beqaj duhet të marrë edhe 7629 nga 12 mijë e pak vota të panumëruara. Mund të themi me siguri matematike se kjo është e pamundur nisur nga rezultatet e deritanishme.

Kandidatët fitues nga PS  janë Edona Bilali, Benet Beci dhe Paulin Sterkaj.

Asnjë kandidat nuk pritet të thyejë listën. Shkodra rri me lista të mbyllura.