Rama, Basha, Kryemadhi apo Doshi? Dalin shifrat, sa shpenzuan partitë për reklama në Facebook

Të dhënat e bëra publike nga rrjeti social Facebook, tregojnë se partitë politike dhe kandidatët në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, shpenzuan shuma të konsiderueshme për reklama në rrjetin social ‘Facebook’ gjatë fushatës zgjedhore.

Shpenzimet më të larta gjatë kësaj fushate në rrjetin social Facebook janë bërë nga Partia Socialiste në pushtet, e cila ka harxhuar 88,781 USD në reklama gjatë fushatës zgejdhore os 38.7% të totalit.

Marketing

Pas numërimit të votave për zgjedhjet parlamentare të së dielës, Partia Socialiste e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, u shpall fituese pasi mori 48.86% të votave dhe siguroi 74 mandate.

Që nga data 25 mars, Facebook i kërkon çdo llogarie që bën reklama sociale ose politike nga Shqipëria që ato të vijnë nga reklamues të autorizuar.

E dyta në radhë për sa i përket shpenzimeve vjen Partia Demokratike në opozitë, e cila ka shpenzuar 36,424 USD në reklama politike gjatë fushatës zgjedhore.

Ndërkohë, të gjithtë partitë e tjera, përfshirë, Bindja Demokratike LSI, Partia Republikane, Balli Kombëtar, PDIU dhe Nisma Thurje kanë shpenzuar në total të marra sëbashku 18,303 USD.

Kandidati që ka shpenzuar më shumë në reklama në Facebook ka qenë Agron Shehaj i Partisë Demokratike me 18,746 USD, i ndjekur nga Vojo Bregu i LSI-së me 5442 USD, Arben Pëllumbi i PS-së dhe kryetari i PSD-së, Tom Doshi.

PSD-ja e Tom Doshit realizoi një rezultat surprizë në këto zgjedhje, duke e zgjeruar influencën e saj nga zona e nën-Shkodrës në të gjithë vendin dhe duke siguruar 3 mandate.

Përveç kandidatëve dhe partive politike, shpenzime të larta në Facebook janë bërë edhe nga një numër faqesh të cilat kanë publikuar reklama denigruese kundër opozitës, përfshirë “Untold Stories of Albania”, “Punë Punë”, “Të jesh grua”, “Pakëz Dritë” dhe “Ligj dhe Rend”.

Në total këto pesë faqe kanë shpenzuar 29,722 USD gjatë fushatës zgejdhore. Të paktën dy prej tyre – ‘Ligj dhe Rend’ dhe ‘Pakëz Dritë’, listojnë të njëjtin numër kontakti në Facebook, pas të cilit nuk përgjigjet askush, pasi telefoni është i fikur.

Gjithashtu, 39 kandidatë dhe faqe partish politike, publikuan reklama pa i identifikuar ato si reklama politike ose sociale gjatë fushatës zgjedhore. Vlera e shumicës prej reklamave të ‘paindetifikuara’ ishte kryesisht më e vogël se 100 USD./ BIRN

Image

Facebook