Nën udhëheqjen e koordinatorit për ECTS të Fakultetit Filozofik, Mr. Sc. Dritan Skenderi, i shoqëruar nga dy asistentët e angazhuar në Fakultetin Filozofik, Mr.Sc. Bekim Sulejmani dhe Mr.Sc. Semra Halili-Skenderi, u bë prezantimi i ofertës akademike të Fakultetit Filozofik të UT-së për vitin akademik 2020/2021 para maturantëve të shkollës së mesme komunale “Nikolla Shtejn” në Tetovë.
Ky prezantim kryesisht u fokusua në pesë programet studimore që i ofron Fakulteti Filozofik si: Psikologji, Histori, Sociologji, Filozofi, dhe Filologji Orientale si dhe në pika të shkurtra u fol edhe për historikun e Universitetit të Tetovës që nga themelimi dhe rrugëtimin ndër vite.
Veç kësaj, maturantëve pjesëmarrës në këtë takim profesorët tanë ua paraqitën edhe disa nga objektivat e Fakultetit Filozofik, siç janë ngritja dhe avancimi i procesit të të nxënit, si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar; Ofrimi i një procesi të mësimdhënies dhe mësimnxënies cilësore me njohuri të larta shkencore bashkëkohore; Përgatitja e studentëve për një shoqëri me standarde të larta, studentë me ide inovative dhe triumfues ndaj sfidave të kohës; Ofrimi i një numri të konsiderueshëm të programeve studimore edhe atë të nivelit të ciklit të parë – deridiplomik, të ciklit të dytë – master dhe të ciklit të tretë – studime të doktoraturës.
Në të gjitha programet studimore të Fakultetit Filozofik: Psikologji, Histori, Sociologji, Filozofi, dhe Filologji Orientale, studimet zgjasin tetë semestra gjatë të cilave grumbullohen 240 ECTS. Maturantët si studentë potencial të ardhshëm u njoftuan edhe me mundësinë e përfitimit të bursave dhe programet e shkëmbimit Erasmus+ dhe Mevlana. Numri i maturantëve të interesuar në këtë prezantim ishte i kënaqshëm. Oferta akademike e Universitetit të Tetovës po mirëpritet nga të gjithë maturantët e vendit të cilët dëshirojnë që studimet e tyre t’i ndjekin në Universitetin e Tetovës.