Borxhi publik dhe shtetëror në tremujorin e parë të vitit 2021, pas tërheqjes së mjeteve nga fletëobligacioni i tetë shënon rritje të lehtë prej 2.3 dhe 2.9 pikë përqindje. Borxhi publik është 62.5%, ndërsa borxhi shtetëror është 54.1%.
Emetimi i fletëobligacionit të tetë në vlerë prej 700 milionë euro, me normë më të ulët historike të interesit, resprektivisht prej 1.625%, bëhet me qëllim të rifinancimit të fletëobligacionit të emetuar në vitin 2014 me normë interesi prej 3.975%.
Pagesa e fletëobligacionit të vitit 2014 në muajin korrik, do të ndikojë në uljen e gjendjes aktuale të borxhit publik dhe shtetëror.
Pagesat tjera dhe tërheqjet që ndikuan në borxhin publik dhe shtetëror në tremujorin e parë të këtij viti janë zvogëlimi i gjendjes së letrave shtetërore me vlerë me vlerë prej 23.4 milionë euro, emetimi i 19-të i fletëobligacionit për denacionalizim prej 11.5 milionë euro, tërheqja e 11.8 milionë eurove kredi nga jashtë për projekte qeveritare dhe 8.9 milionë euro nga ndërmarrjet publike. Gjithashtu, janë paguar detyrimet në bazë të kryegjesë në vlerë prej 44.5 milionë euro.
Sipas dinamikës aktuale të realizimit të borxhit publik dhe shtetëtor, pritshmëritë do të jenë në kuadër të projeksioneve resprektivisht prej 63.4% dhe 53.2%.
Në planin afatmesëm, më saktësisht deri në vitin 2025, projeksionet në Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik janë që borxhi publik do të stabilizohet dhe do të ulet në 58.8%, gjegjësisht nën nivelin e përcaktuar nga kriteri i Mastrihtit, ndërsa borxhi shtetëror do të ulet në 51%. Kjo do të realizohet nga njëra anë përmes planit dhe masave për konsolidimin gradual fiskal, përkatësisht zvogëlimin gradual të deficitit buxhetor dhe nga ana tjetër përmes përshpejtimit të rritjes ekonomike, gjegjësisht krijimin e vlerës më të madhe të shtuar nga e cila më lehtë do të servisohet borxhi që maturon.
Përndryshe, si rezultat i krizës së kovidit, sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, pothuajse të gjitha vendet evropiane (përveç Norvegjisë) shënojnë rritje të lartë të borxhit shtetëror në vitin 2020 në krahasim me vitin 2019. Kështu, Spanja ka rritje të borxhit prej 27.5 pikë përqindje, Italia ka rritje të borxhit prej 27 pikë përqindje kurse Greqisë me 24.3 pikë përqindje. Në rajon, përveç Greqisë, Shqipëria ka rritje më të madhe të borxhit me 15.6 pikë përqindje, Sllovenia me 14.9 pikë përqindje dhe Kroacia rritje të borxhit prej 14.5 pikë përqindje.