Uljen e rasteve të infektimeve me Covid 19, qytetarët e lidhin me fushatën e vaksinimit e cila po ecën me ritme të kënaqshme. Që prej fillimit të fushatës, janë kryer afro 480 mijë injektime duke iu afruar kështu dhe objektivit prej gjysmë milioni të vaksinuarish brenda muajit Maj.
Fushata e vaksinimit ka ulur ndjeshëm shifrat e të infektuarve me Covid-19.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, aktualisht në spitalet Covid po trajtohen 116 pacientë, 10 janë të intubuar, ndërsa 5 janë në terapi intensive.
Ndërkohë vaksinimi për të moshuarit mbi 60 vjeç dhe punonjësit e shërbimeve kritike po vijon normalisht ku vetëm ditë më parë janë kryer 26 655 vaksina në të gjithë Shqipërinë, duke çuar numrin e të vaksinuarve ne 476 903.
Nisja e aplikimit të dozës së dytë kundër koronavirusit ka rikthyer fluksin e të moshuarve pranë tendave të ngritura në sheshin Skënderbej.
Të moshuarit shprehen se i gjithë procesi po vijon pa probleme .
“E bëmë atje te stadiumi dhe tani po e bëjmë këtu. Cdo gjë po shkon shumë mirë. Deri tani jemi shumë të kënaqur.”
Rreth 320 mijë vaksina janë stok të cilat priten të përdoren në ditët në vijim për dozën e parë e të dytë të vaksinës.