Moderatorja Bora Zemani dhe aktori i humorit Donald Veshaj janë ndarë përfundimisht, duke fshirë njëri-tjetrin jo vetëm nga jeta reale, por edhe ajo virtuale.
Xhelozia është bërë shkak që ata t’i japin fund bashkëjetesës disamujore në Tiranë dhe ka qenë Donaldi ai që ka marrë valixhet dhe është larguar nga shtëpia ku jetonin.
Ky vendim erdhi pas një periudhe ndarjesh dhe ribashkimesh të njëpasnjëshme që nga gushti i vitit të kaluar direkt pas zyrtarizimit të lidhjes. Çifti që e zyrtarizoi historinë e tyre, pas karantinës ka pasur disa mosmarrëveshje që i ka çuar në këtë vendim, njohje që filloi gjatë programit “Treshat”.
Sipas miqve të tyre, vështirë të thuhet se këtë herë bëhet fjalë për një zënkë të momentit, pasi edhe kur kanë pasur situata të tilla më parë, ata nuk i kanë fshirë gjurmët e lidhjes së tyre dhe janë rikthyer shpejt te njëri-tjetri.
Në fillimet e tyre ata u konsideruan një nga çiftet më të përfolura, për faktin se luanin me idenë që janë më shumë kolegë që shkojnë mirë në televizion, sesa të dashur. Ishte Bora, e cila theu heshtjen duke publikuar foton e parë të tyre si çift nga bregdeti i Jugut, ku dhe celebruan kështu publikisht këtë histori dashurie të lindur në televizion.
Ajo pranoi në këtë mënyrë publikisht marrëdhënien e tyre të dashurisë, ndërsa zgjodhi ta mbulonte fytyrën e tij me një emoji, ndonëse dukej qartazi se ishte ai, duke shkruar: “Me këtë çunin, identitetin e tij nuk dua ta zbuloj”.
Ndërkohë, ata vazhdonin e informonin ndjekësit me postimet e tyre, deri në momentin që zhdukën gjithçka. Kjo ndarje erdhi vetëm pak kohë pasi Bora Zemani e çoi në tjetër nivel lidhjen me Donald Veshajn, dhe çifti nisi bashkëjetesën pas ribashkimit të tyre. Ribashkimin e vërtetuan në imazhin e parë bardhezi të publikuar në “Instastory” nga Bora, ku shihej që ajo i kishte “shtrënguar” buzët moderatorit dhe krahas postimit e etiketonte Donaldin dhe e pyeste: “Kështu?”.
Ndërsa në imazhin e dytë ishte Donaldi ai që kishte “shtrënguar” Borën nga buzët, teksa kjo e fundit shkroi: “Apo kështu?”. Ndërkohë, në fotot e ripostuara nga Donaldi në llogarinë e tij në “Instagram”, moderatori i jepte një “përgjigje” Borës, duke zgjedhur imazhin e dytë.
Kjo ishte lëvizja e parë me foto, pas një deklarate të Borës në lidhje me rëndësinë që kishte Donaldi në jetën e saj. E tashmë të gjitha këto foto që ndërtonin ditarin e dashurisë së tyre, i kanë zhdukur.
RRËFIMET E ISH-ÇIFTIT, KUR MENDONIN SE DO KALONIN JETËN BASHKË
Por ndarja vjen pas disa rrëfimeve të ish-çiftit se ata e donin aq shumë njëritjetrin sa do ta kalonin jetën bashkë. Gjatë një interviste të zhvilluar vitin e kaluar, Bora Zemani deklaroi se Donaldi ishte dashuria e jetës së saj. Por më vonë patën disa mosmarrëveshje dhe madje i fshinë të gjitha fotot çift që kishin postuar në rrjetet e tyre sociale.
Më pas, e ftuar të ”Shiko kush luan”, Bora tregoi se jo vetëm e kishte rregulluar marrëdhënien, por ishte e bindur se Donaldi është zgjedhuri i saj. Ajo u bë pjesë e lojërave, sfidave të ndryshme, si dhe iu përgjigj pyetjeve pikante për të rrëmbyer sa më shumë pikë për skuadrën e saj. Një ndër pyetjet lidhej me jetën e saj private: “A është Donaldi përputhja jote, pra dashuria e jetës tënde?”.
Pa hezituar, moderatorja u përgjigj: “Po, sigurisht!”. Ndërkohë, Donald Veshaj nga ana e tij tregoi se di si ta bëjë të lumtur Bora Zemanin dhe së fundmi ka realizuar një portret shumë të bukur të moderatores. Aktori ka postuar një video ku shfaq procesin e realizimit të këtij projekti, duke i bërë edhe një dedikim partneres.
“Për ty Bora”, shkruan Donaldi krah surprizës që çdo vajzë do ta donte, duke shprehur kështu talentin në pikturë, degë për të cilën ka ndjekur studimet e larta në Universitetin e Arteve. Përpos deklaratave të dashurisë që i bëjnë njëri-tjetrit në jetën e përditshme, për Borën e Donaldin ka vend edhe për ta shprehur dashurinë në rrjet.
Kështu, tre muaj pas ribashkimit ra në në sy komenti i Borës, ndërsa i drejtohej Donaldit me fjalët: “Të duaaaa”, dhe Donaldi që ia ktheu: “Unë më shuuuumë”. Kujtojmë që çifti janë bashkë prej gati tre vitesh dhe ndonëse në fillim preferuan ta ruanin larg publikut lidhjen e tyre, tani nuk i kursejnë deklaratat e dashurisë.
Gjatë kësaj periudhe, ata kanë pasur ndarje të shkurtra, por që i kanë superuar duke e kaluar lidhjen në tjetër nivel. Së fundi, moderatorja e ‘Për’puthen” u bë qendër e lajmeve rozë dhe postimeve në “Instagram”. Shkak për këtë u bënë disa biseda, ku sipas komentuesve të ndryshëm, Bora i ka kërkuar një personi të saj të njohur të mbyllë një profil në “Instagram”.
Në “screenshoot”-et e postuara, Zemani shprehej se personi në fjalë po i prish punë produksionit të “Për’puthen” duke zbuluar të shkuarën e konkurrentëve. Mirëpo, në një reagim në “Instagram”, Bora ka treguar se e gjitha kjo është manipulim dhe mesazhet ishin false. Këtë sezon televiziv Bora Zemanin e shohim në drejtimin e “Për’puthen” në “Top Channel”, ndërkohë që së fundmi u rikonfirmua romanca me Donald Veshajn, i cili po ashtu përmendej në mesazhet private të “Instagram”-it, por të cilat ajo mohoi të ishin të sajat.
BORA DHE DONALDI, HISTORIA E KOLEGËVE QË U BËNË TË DASHUR
Kanë kaluar gati tre vjet që kur moderatorja Bora Zemani filloi të shoqërohej me një nga vëllezërit binjakë të spektaklit të humorit “Al Pazar”, Donald Veshaj. Vëllai misterioz dhe i diplomuar për pikturë i Romeo Veshajt nuk e fsheh tashmë lidhjen me Borën, të cilën e kishte edhe kolege në projektin televiziv “Treshat”, pjesë e të cilit ishte edhe Romeo.
Bora është një mami e lumtur e djalit të saj Arbor nga martesa me DJ Vin Velin, ndërkohë që Donaldi është beqar dhe tashmë ata e shohin njëritjetrin si një familje, pasi kanë nisur bashkëjetesën në Tiranë. Kështu, pas fotove që Bora postonte nga shtëpia e Donaldit në Vlorë, erdhën fotot e pushimeve të tyre në Jug, ku Bora shfaqej në fillim me gërshetat ngjyra-ngjyra.
Me shumë gjasa i bëri posaçërisht kur vendosi të deklarohej si e dashura e piktorit, Donald, i cili në ekran njihet si aktor humori. Pak kohë më parë, Bora kishte bërë një foto duke pirë kafe në kuzhinën e Donaldit, të shoqëruar me diçiturën: “Gjithçka çfarë dua është dashuri dhe një kafe!”.
E disa javë më pas, në programin “E diela shqiptare” ku gatuante Donaldi, ndjekësit vunë re që kuzhina ku kishte bërë fotot Bora ishte, në fakt, shtëpia e Donaldit. Gjatë këtij emisioni, ku ishte prezent edhe Ardit Gjebrea, meqë ishte puntata e fundit e programit “E diela shqiptare”, Arditi nuk la rast pa i ngacmuar Borën dhe Donaldin për marrëdhënien e tyre të dashurisë.
Në një moment, teksa zbritën shkallët e restorantit, Donaldi veshi sandalen e Borës dhe i pyetur nga Gjebrea, e ka cilësuar atë si Hirushe.
“Dhe kur e pyes unë ‘Je ti Hirushja’, ajo thotë po! Pyes Donaldin ‘Je ti princi’? Ai thotë po”. Shpesh, paparazzi i “Panorama Plus” i ka fotografuar të veshur në stilin sportiv në shoqërinë e njëri-tjetrit, fakt që tregonte se ata ishin 24 orë në 24 bashkë, për shkak edhe të projektit të përbashkët që bënin në televizion si kolegë.
Prezantuesja, e cila i dha fund lidhjes disavjeçare me Dj Vin Velin, vendosi ta konfirmonte deri diku historinë e re të dashurisë në emision. Prej muajsh përflitej se ajo dhe aktori ishin në një lidhje, por në fillim u komentua si një thashethem i radhës. Por lajmi kishte një ekskluzivitet në ekranin e televizionit ku transmetohej programi i tyre “Treshat”.
Bora, Donaldi dhe Romeo ishin të ftuar në “Tring Stars” për të folur për projektin e ri që i bëri bashkë në televizion e teksa zbuluan shumë rreth emisionit të tyre, gjatë intervistës ranë në sy ngacmimet që Donaldi i bënte Borës. Fillimisht, Donaldi i përmendi Borës këmbët e lyera me krem shkëlqyes dhe moderatorja i bashkoi këmbët e saj.
Ndërsa Romeo i bëri shumë komplimente ‘kunatës’. Pas kësaj, Bora e falënderoi Romeon duke i dhuruar një puthje në faqe, si njeriut të familjes, ndërsa Donaldi, si për të konfirmuar që ata nuk ishion thjesht kolegë, tha me shaka: “E kemi mikeshë familjare”. Por kjo lidhje e bërë familjare nuk shkoi sipas parashikemeve të vetë protagonistëve, miqve dhe të afërmve.