Me ndihmën e anijes turke shpëtohen 123 emigrantë të parregullt në brigjet e Libisë

Të paktën 123 emigrantë të parregullt që kanë kërkuar ndihmë në brigjet e Libisë u shpëtuan me iniciativën e anijes TCG Gaziantep që i përket Forcave të Armatosura të Turqisë (TSK) dhe me ndërhyrjen e Rojës Bregdetare të Libisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas informacioneve të marra nga burimet ushtarake, anija TCG Gaziantep e Task Forcës Turke me detyrë në veri të Libisë mori thirrjen për ndihmë që u dërgua nga një gomone e cila transportonte emigrantë të parregullt rreth 80 milje nga Tripoli më 29 prill.

Pasi informacionet e gomones iu përcollën autoriteteve lokale nga Komanda e Task Forcës Turke të TSK-së në Libi, 123 emigrantët e parregullt u shpëtuan me ndërhyrjen e Rojës Bregdetare të Libisë.

Marketing

Komanda e Task Forcës Turke në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ushtarak dhe sigurisë që u nënshkrua më 27 nëntor 2019 mes dy vendeve, ofron shërbim konsulence dhe trajnim për ushtrinë libiane si dhe me fuqinë detare ofron mbështetje në fushën e ndërhyrjeve humanitare për forcat e Rojës Bregdetare të Libisë.

Libia është bërë një prej pikave të rëndësishme në kalimet drejt Evropës nga emigrantët e parregullt afrikanë të cilët largohen nga varfëria dhe konfliktet në vitet e fundit.



. .