Mianmar, shkon në 765 numri i viktimave në protestat kundër grushtit të shtetit

Është rritur në 765 numri i personave që kanë humbur jetën në Mianmar si pasojë e ndërhyrjes me armë nga forcat e sigurisë në protestat që zhvillohen kundër grusht shtetit ushtarak dhe arrestimit të anëtarëve të qeverisë së zgjedhur, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas raportit ditor të publikuar nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP), në 24 orët e fundit janë konfirmuar edhe 6 të vdekur, në protestat në qytetet Hpakant, Wetlet, Mandalay dhe Hsipaw duke rritur në të paktën 765 numrin e viktimave.

Në raport thuhet se në vend nën arrest ndodhen 3.555 persona dhe se ka një urdhër arresti për 1.369 persona të tjerë.

Marketing

Ndërkohë Baw Kyaw Heh, lideri i Unionit Kombëtar Karen (KNU), një prej grupeve të armatosura etnike kundër grushtit të shtetit, duke theksuar se rezistenca që ka filluar në mbarë vendin pas grusht shtetit të 1 shkurtit është një mundësi e madhe për grupet etnike, tha se “Kjo mundësi duhet vlerësuar mirë dhe të luftojmë kundër diktaturës ushtarake”.

Ai u bëri thirrje grupeve tjera etnike për të vepruar së bashku për të shpëtuar nga administrata ushtarake.

Grusht shteti ushtarak në Mianmar

Ushtria e Mianmarit pas pretendimeve nga grupet e afërta politike pranë saj për mashtrime në zgjedhjet e 8 nëntorit 2020 dhe pas rritjes së tensioneve në vend, mori pushtetin më 1 shkurt.

Ushtria në vend shpalli gjendje të jashtëzakonshme për një vit, ndërsa më pas arrestoi shumë zyrtarë dhe drejtues të tjerë të partisë në pushtet, përfshirë edhe ministren e Jashtme, njëherësh lideren e vendit, Aung San Suu Kyi.

Në vend vazhdojnë protestat me pjesëmarrje të gjerë dhe gjykimet në gjykatat ushtarake për zyrtarët e nivelit të lartë nën arrest.



. .