Pandemia me Kovid-19 edhe një herë e dëshmoi nevojën për informacione të sakta, pasi krahas virusit në këtë periudhë sfidë për vendin dhe botën ishin edhe lajmet e rreme. Në Ditën Botërore të Lirisë së Mediave, ShGM së bashku me Misionin e OSBE-së në Shkup, apeluan për solidaritet dhe mbështetje, për gazetarët dhe punonjësit mediatik.
“Lufta kundër dezinformatave të cilat u dëshmuan të jenë veçanërisht të dëmshme në kohëra të tilla sfiduese, është e mundur vetëm me prodhimin e informatave të sakta dhe objektive dhe përmes punës transparente të Qeverisë dhe institucioneve të tjera publike. Gazetaria duhet të trajtohet si një e mirë publike dhe rrjedha e informatave nuk duhet të kufizohet.”,- thuhet në kumtesën e ShGM-së.
Nga Instituti Maqedonas i Mediave theksojnë se gazetarët në kushte të jashtëzakonshme të shkaktuara nga pandemia me Kovid-19, vazhduan në kohë të informojnë qytetarët.
“Është e nevojshme të bëhen përpjekje serioze, të vendosen prioritete për zhvillim dhe përparim afatgjatë të fushës së medias, përmes politikave moderne, ku do merren parasysh standardet dhe praktikat evropiane, por edhe specifikat e mediave tona.”,- u tha nga Instituti Maqedonas për Media.
Nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio Vizuele, theksojnë se 3 maji është një kujtesë për qeveritë, se ata duhet të respektojnë zotimet e tyre për të mbrojtur pavarësinë, parimet dhe të drejtën e lirisë së shprehjes.
“Pandemia aktuale me KOVID-19 ka një ndikim negativ në performancën ekonomike të mediave dhe pluralizmit të mediave dhe kontribuon në shfaqjen globale të “infodemisë”, e cila tani më shumë se kurrë është e nevojshme për të ruajtur dhe mbrojtur pavarësinë e mediave dhe për të promovuar raportimin bazuar në fakte që janë thelbësore për të mirën publike në një nivel global.”,- thuhet në kumtesën e ASHMAA.
Profesoresha Universitare “Jasna Baçevska” nga ana tjetër vlerëson se kemi rënë viktimë e një perceptimi irracional të lirisë së shprehjes.
“Mbetëm viktima të dezinformatave, viktima të një kuptimi irracional të lirisë së shprehjes, pa përgjegjësi për të shprehur gjithçka që dua në profilet tona, kështu që vetë u bëmë viktima të vetvetes. E gjithë kjo e riafirmon nevojën që edhe një herë të kthehemi te nevoja për media të etabluara, në media me integritet, me redaktor, me adresë fizike dhe gazetar profesional.”,- u shpreh profesoresha universitare, Jasna Baçevska.
Ndërsa Këshilli për Etikën e Medias në Ditën Ndërkombëtare të Mediave ka theksuar pritshmëritë që qeveria dhe institucionet të tregojnë përgjegjësi dhe përkushtim serioz në mbështetjen e të drejtave dhe lirive të mediave.