16:38 | 3 Maj 2021
16:38 | 3 Maj 2021
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) Armand Duka përmes një postimi në Facebook ka uruar sot presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës Agim Ademin me rastin e pesë vjetorit të pranimit të Kosovës në UEFA, dhe njëkohësisht u shpreh gjithmonë mirënjohës dhe falënderues drejt legjendës së ndjerë Fadil Vokrri.
5 vjet më parë, Kosova u pranua me drejta të plota në shtëpinë e UEFA-së, kështu duke e bërë të mundur edhe pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve dhe Ligën Evropa.
“Dua të shpreh urimet më të sinqerta për FFK-në, presidentin Agim Ademi dhe të gjithë aktorët e futbollit në Kosovë në këtë përvjetor të pestë. Ndihem mirë teksa shoh që futbolli kosovar ka bërë hapa të mëdha përpara, duke u rritur dhe duke u përfaqësuar gjithmonë e më mirë edhe ndërkombëtarisht”, shkruan Duka.
Presidenti Duka tha se FSHF do të jetë në bashkëpunim të vazhdueshëm me FFK, dhe në fund shfrytëzoi rastin ta falënderojë legjendën e ndjerë Fadil Vokrrin për kontributin e tij që Kosova të pranohet në UEFA.
“Federata Shqiptare e Futbollit është krenare për kontributin që ka dhënë në këtë proces historik dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me vëllezërit tanë të FFK për të çuar përpara projekte të mëdha në të mirë të futbollit. Falënderim e mirënjohje përjetë edhe për ish-presidentin e ndjerë të FFK, legjendën Fadil Vokrri, pa kontributin e të cilit kjo ngjarje historike do të ishte e pamundur”, përfundon Duka.