Forcat ushtarake të Mianmarit kanë vrarë gjashtë persona të tjerë, duke rritur në 769 numrin e të vdekurve që kur filluan protestat kundër grusht shtetit ushtarak të 1 shkurtit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë (AAPP) në raportin e saj të fundit njoftoi se ushtria arrestoi 3.677 persona, 83 prej të cilëve u dënuan.
“Qytetarët në Mandalay, Yangon dhe qytete të tjera vazhduan të protestojnë kundër diktaturës, ndërsa studentët nga institucione të ndryshme arsimore filluan një fushatë “nuk shkojmë në shkollë dhe nuk heqim dorë” kundër rregullit ushtarak”, thuhet më tej.
Sipas deklaratës, ushtarët e juntës bastisën shtëpitë e udhëheqësve të protestës në fshatin Aung Pan të qytezës Yezakyo, rajoni Magway, morën sende me vlerë dhe kërcënuan të gjithë fshatin me veprime të ngjashme nëse bashkoheshin me protestuesit.
“ASEAN, në veçanti, duhet të ushtrojë presion më të fortë në Birmani, bashkësia ndërkombëtare duhet të zbatojë një veprim të fuqishëm. Përgjigjet e vonuara do të rezultojnë me më shumë viktima dhe vuajtje për civilët”, tha AAPP.
Ndërkohë, media lokale raportoi se luftëtarët e rezistencës në Hakha, kryeqyteti i shtetit Chin, pretenduan të kishin vrarë tetë ushtarë nga regjimi i grushtit të shtetit në përleshjet që filluan të dielën.
Forcat e Mbrojtjes së Chinland, grupi i formuar pas grushtit të shtetit, sulmoi forcat e juntës dhe vrau katër ushtarë të dielën në mbrëmje dhe katër të tjerë të hënën në mbrëmje, sipas “Myanmar Now”.
Grupi u formua në fillim të prillit dhe përbëhet nga banorët etnikë Chin nga nëntë vendbanime në shtetin Chin si dhe nga zona jashtë shtetit.
Ata nisën një sulm të dielën pasi publikuan një deklaratë që paralajmëronte ushtrinë të lirojë 60 vendas të ndaluar, gjë që ushtria nuk e bëri, thuhet në deklaratë.