Gjermania ndaloi të mërkurën organizatën islamike Ansaar International, për të cilën tha se ka mbledhur fonde për të ndihmuar në financimin e terrorizmit në botë.
Vendimi u mor pasi autoritetet bastisën prona në dhjetë lande gjermane dhe sekuestruan disa gjësende.
“Nëse doni të luftoni terrorin, duhet t’ia shteroni fondet e financimit”, tha ministri i Brendshëm i Gjermanisë, Horst Seehofer.
Organizata Ansaar, me seli në qytetin Dyzeldorf, thotë në statutet e saj se qëllim i saj është të mbështesë projektet për myslimanët në të gjithë botën.
Sipas kryetarit të saj, Ansaar, vetëm në vitin 2018, ka mbledhur dhjetë milionë euro donacione.
Ministria e Brendshme e Gjermanisë tha se fondet kanë për qëllim financimin e grupeve të huaja, të tilla si lëvizja palestineze Hamas, pastaj Al-Shababi i lidhur me Al-Kaidën dhe Al-Nusra.
Ansaar dhe një organizatë e lidhur me të “financojnë terrorin në të gjithë botën, nën maskën e ndihmës humanitare”, tha Seehofer.