Autoritetet shëndetësore në Kanada kanë autorizuar përdorimin e vaksinës Pfizer Inc për fëmijët e moshës 12 deri në 15 vjeç, duke u bërë vedni I parë që e merr një vendim të tillë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se ministria e Shëndetësisë në Kanada njoftoi se ka marrë këtë vendim bazuar në të dhënat e fazës së tretë të testimit të fëmijëve, të kësaj moshe.
“Departamenti ka vlerësuar se kjo vaksinë është e sigurt dhe efektive kur përdoret në këtë grup-moshë më të re”, ka thënë një këshilltar i Ministrisë së Shëndetësisë kanadeze.
Pfizer po ashtu thotë se vaksina funksionon mirë në këtë grup moshë. Kanadaja ka autorizuar tashmë përdorimin e vaksinës Pfizer te njerëzit mbi 16 vjeç.
Ky vend ka regjistruar mbi 1.2 milion raste me koronavirus dhe rreth 20 për qind e tyre kanë qenë persona nën 19 vjeç.
Rreziku që fëmijët të sëmurën shumë ose të vdesin nga koronavirusi është i vogël dhe gjatë gjithë pandemisë ata shumë rrallë kanë pasur nevojë për trajtim spitalor.