Lajmi i mirë se Shqipëria është në një situatë epidemiologjike të kontrolluar sa i përket përhapjes së koronavirusit është konfirmuar ditën e djeshme në mbledhjen e Komitetit Teknik të Ekspertëve anti-covid.
Në një lidhje Skype për “Wake Up”, zv.ministrja e Shëndetësisë Eugena Tomini tregoi kur pritet një rritje e rasteve me covid-19.
“Në javën e dytë dhe të tretë të majit pritet një tendencë në rritje e rasteve. Por vaksinimi e ka lehtësuar situatën. Kjo do jetë një verë më ndryshe se vera e viti të kaluar.
Për sa i përket vaksinimit dua të theksoj se janë disa rajone si Gjirokastra për shkak të popullsisë së vjetër, ka bërë kalendarin e vaksinimit ndaj Covid -19, pasuar nga Fieri dhe Vlora”, tha Tomini.
Shifrat e javëve të fund tregojnë për një rënie të ndjeshme të rasteve të reja, shtrimeve në spitale por edhe humbjeve të jetës. Por, pavarësisht përmirësimit të situatës, të vetmet masa lehtësuese që panë të arsyeshme ekspertët për tu vënë në zbatim, ishin rikthimi i pjesshëm i studentëve në auditorë, vetëm për konsultime dhe sezonin e provimeve.
Ndërkohë do të hiqet dhe karantina 14 ditore për të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.