Ministrja austriake për BE dhe Kushtetutën, Karoline Edstadler bëri të qartë se Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtme, Olta Xhaçka ajo u shpreh se nëse procesi nuk përshpejtohet të gjithë do të humbasim.
Sipas ministres austriake, Shqipëria ka bërë hapa para sa i takon shtetit të së drejtës, ndërsa theksoi se ajo është një nga avokatet kryesore për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
“Ne duhet t’ju japim ju perspektive për të hyrë në Bashkimin Evropian në kuadër të besueshmërisë së BE. Nëse nuk e përshpejtojmë këtë proces, të gjithë humbasim. Kjo është arsyeja pse po avokatojmë për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Ju po bëni shumë për ti treguar BE se doni që të shihni hapa të mëtejshëm. Ju jeni angazhuar në shtetin e së drejtës dhe Austria po mbështet 5 projekte në këtë drejtim.
Shteti i së drejtës, demokracia dhe të drejtat e njeriut janë vlerat e unionit tonë. Për aq kohë sa vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e BE ky projekt nuk është e plotë. Duhet të plotësojmë hendeqet. Ju jeni të rrethuar nga anëtarë të BE.
Nga dita e parë kam avokatura për nisjen e kësaj konference dhe kjo ka qenë para mbërritjes së pandemisë. Kam thënë që duhet të përfshijmë vendet e Ballkanit, sepse flasim për të ardhmen e BE”, tha ministrja Edstadler.
Nga ana e saj, ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka tha se Shqipëria ka bërë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në fushat kryesore që janë kërkuar nga BE.
“Kemi plotësuar të gjitha kushtet e vendosura nga Këshilli për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Tani është radha e BE për të vlerësuar arritjet tona konkrete, duke nisur bisedimet e anëtarësimit. Rigjallërimi i perspektivës së integrimit evropian të rajonit, instrumenti më efikas për, forcimin e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Xhacka.