“Fundi i betejës do jetë gremisja e regjimit Rama-Doshi”, Basha: 25 prilli nuk do njihet

Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar paraditen e sotme një takim me demokratët në Fier.

Në fjalën e tij, zoti Basha tha se për herë të parë socialistë dhe demokratë janë në një mendje se vullneti i shqiptarëve është tjetërsuar më 25 prill.

Marketing

“Për herë të parë demokratë e socialistë janë në një njëjtën mendje, vullneti i shqiptarëve më 25 prill u tjetërsua përmes vjedhjes.

Binomi Rama-krim, regjimi Rama-Doshi i cili ka lënë gjurmët e gishtave kudo.

Se çfarë program i ofroi Tom Doshi pres të ma shpjegojë më i zgjuari i Fierit, qoftë socialist apo jo.”

Zoti Basha u shpreh se 25 prilli ishte një masakër elektorale dhe si e tillë rezultati i zgjedhjeve nuk do të njihet nga demokratët.

“25 prilli ishte ditë e një masakër elektorale. Ne këtë betejë nuk e nisëm për veten tonë. Beteja ishte për shqiptarët dhe vazhdon të jetë për shqiptarët. Çfarë zgjidhi 25 prilli?  Asgjë.

25 prilli tregoi se demokratët pa asnjë pushtet janë në gjendje të bëjnë një mobilizim dhe t’i kundërvihen një pushteti të tërë  dhe ta çojnë në buzë të greminës për ta hedhur aty ku e ka  vendin.

Masakra elektorale e 25 prillit nuk do të njihet, tjetërsimi i vullnetit të shqiptarëve nuk do të pranohet. Beteja  do të vazhdojë pikërisht për ata për të cilët e nisëm, jo për karrigen time.”

Basha tha se fundi i kësaj beteje, e cila vazhdon për shqiptarët do të jetë përmbysja e regjimit Rama-Doshi dhe njohja e vullnetit të shqiptarëve.

“Fundi i kësaj beteje i cili nuk mund të jetë triumfi i regjimit Rama-Doshi, por përmbysja e këtij regjimi. Është detyra ime tju them që atë që kemi nisur së bashku do ta vazhdojmë deri në fund, këtë betejë keni vetëm një garanci për sukses të marrim me vete vullnetin e gjithë shqiptarëve që na besuan me votë.

Detyrimi ynë është i dyfishtë, t’ia shkurtojmë ditët dhe të punojmë orë e minutë për ta përmbysur këtë regjim. Demokratët nuk dorëzohen kurrë, dhe tani që është e qartë që ndryshimi që u pengua në mënyrë kriminale shokut po i lë vend vendosmëria dhe forca për ta vazhduar këtë betejë derisa ky regjim që e kemi çuar në buzë të greminës të gremiset dhe të marrë fund një herë e përgjithmonë.”