Edicioni i 9-të i ICT Awards mbylli zyrtarisht aplikimet më datë 30 Prill 2021 në orar 23:59 duke i hapur kështu rrugë fazës së dytë të kësaj gare, të vlerësimit dhe shpërblimit të pionierëve të teknologjisë në trevat Shqipfolëse.
Aplikimet u hapën më 27 Mars përmes një evenimenti inovativ plotësisht virtual duke vënë në funksion disa prej risive teknologjike më të fundit të vizualizimit 3D.
Përgjatë 5 javëve pranë ICT Awards mbërritën 78 projekte me të cilat konkurrojnë 85 kandidatë në 8 kategoritë të ndryshme: Inovacioni i Vitit, Startupi i Vitit, Diploma e Vitit, Ylli në Ngritje, Femra në ICT, Cyber Security, Shërbimi Publik i Vitit dhe Covid-19 Response.
Gurëthemeli i radhës i edicionit të nëntë ishte të Mërkurën më 12 Maj ku u mblodh në Tiranë juria e ICT Awards përbërë nga: Altin Petre, Visar Jasiqi, Alda Shehu, Azir Aliu, Igli Gjelishti, Gjergji Guri, Elton Domnori, Edlira Martiri dhe Ilir Capuni.
Gjatë takimit u bë firmosja e Deklaratës së Konfidencialitetit, njohja me listën e plotë të aplikimeve të mbërritura në ICT Awards, diskutime mbi çështje me rëndësi bazuar në eksperiencën e anëtarëve të jurisë në vitet e kaluara dhe diskutimi dhe përcaktimi i kritereve të vlerësimit.
Vëmendjen kryesore të këtij takimi e kishin padyshim kandidatët dhe projektet e mbërritura ndërsa në axhendën e tij ishte përzgjedhja e kryetarit të jurisë që këtë vit do të përfaqësohet nga zj. Edlira Martiri dhe roli i nën kryetarit të jurisë nga z. Gjergji Guri.
Zj. Edlira Martiri në cilësinë e kryetarit të jurisë së edicionit të 9-të vjen me një profil akademik si lektore pranë Departamentit Statistikë dhe Informatikë e Zbatuar pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. E angazhuar në dhe me kontribut të shquar në dhjetëra projekte në fushën e teknologjisë dhe informacionit ajo bart titullin Doktor dhe Profesor i Asociuar pranë Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës. Prej tre vitesh ajo ka qenë pjesë e jurisë së ICT Awards.
Qasja rigoroze dhe strikte me integritet të lartë profesional dhe pavarësi absolute vendimmarrjeje nga organizatorët e garës e anëtarëve të jurisë së ICT Awards është një cilësi e dëshmuar dhe e trashëguar ndër vite nga kjo garë mbarë kombëtare.
Më 29 Maj juria do të udhëtojë drejt Kosovës ku do të presë në një takim kandidatët e përzgjedhur të listës së ngushtë që kanë aplikuar nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Më 30 Maj fjalën e kanë kandidatët e listës së ngushtë nga Shqipëria dhe Diaspora. Të gjithë kandidatët do të njoftohen përpara datës 29 Maj për ecurinë e projektit të tyre në ICT Awards.
Surpriza, të ftuar ekskluzivë dhe nën emocione të shumta do të mbahet Mbrëmja Gala e edicionit të 9-të më 11 Qershor 2021 në Tiranë ku do të bëhet edhe ndarja e çmimeve.
ICT Awards hapi edicionin e 9-të të garës mbarëkombëtare në teknologji më 19 Mars duke ju adaptuar tashmë normalitetit të ri në mënyra inovative krijuar si rezultat i pandemisë së Covid-19.
Edicioni i 9-të i Albanian ICT Awards nis misionin e tij këtë vit me mbështetjen e sponsorëve gjeneralë dhe Diamond si Banka Raiffeisen, Fondacioni Dritan Hoxha, Albvision sponsorëve Platinum si Dev.al dhe Albsoft. Baboon, AUK, Universiteti Metropolitan si sponsorë Gold dhe 3i Solution, Soft&Solution, Ritech dhe Facilization si sponsor Silver.
ICT Awards gëzon partneritetin edhe të Bashkia Tiranë, Komunës së Prishtinës, SEEU TechPark dhe KujuStudio.