Presidenti francez Emmanuel Macron është qëlluar me shuplakë gjatë një vizite zyrtare në juglindje të Francës.
Në një video që është bërë virale në mediat sociale, Macron shihet duke ecur në rajonin e Drôme, teksa afrohet për të takuar mbështetësit, por befas një prej tyre e qëllon me shuplakë. Menjëherë kanë ndërhyrë truprojat e Macron. Presidenti, ndërkohë, është larguar me nxitim.
Dy personat janë arrestuar pas incidentit, raportojnë mediat franceze. Teksa ndodhi ngjarja “Poshtë Macronizëm” , dëgjohet të thotë agresori.
Pas incidentit Kryeministri Jean Castex i tha Asamblesë Kombëtare se demokracia nënkuptonte debat të hapur por sipas tij “ajo në asnjë rast nuk duhet të nënkuptojë dhunë, agresion verbal dhe aq më pak sulm fizik”.
Udhëheqësi i ekstremit të majtë Jean-Luc Mélenchon shprehu në Twitter “solidaritetin e tij me Presidentin menjëherë pas shuplakës.
Presidenti Macron aktualisht po kryen një turne në Francë dhe sapo kishte vizituar një shkollë hoteli në Tain-l’Hermitage.