Dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, e vizitoi Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”

Një delegacion i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit i Universitetit të Tetovës, i kryesuar nga Dekani, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, i shoqëruar nga Prof. Dr. Gafur Xhabiri dhe sekretari i këtij fakulteti, Mr. Sc. Vigan Sulejmani, (17. 6. 2021), e vizituan Universitetin e Pejës “Haxhi Zeka”. Gjatë kësaj vizite ata realizuan një takim pune me Rektorin e këtij Universiteti, Prof. Dr. Fadil Millaku, dhe Dekanin e Fakultetit të Agrobiznesit në këtë universitet, Prof. Dr. Nexhdet Shala. Në këtë takim u diskutua për shumë tema, të cilat kanë të bëjnë me procesin mësimor – shkencor, mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen mes Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit dhe Fakultetit të Agrobiznesit, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve përmes programeve për mobilitet si dhe organizimin e përbashkët të simpoziumeve dhe konferencave shkencore.
Dekani i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, në këtë takim, mes tjerash tha se fakulteti që ai drejton posedon edhe laboratorë me pajisje më bashkëkohore, ku studentët së bashku me profesorët kryejnë teste dhe analiza të ndryshme të cilësisë së ushqimit. Ai po ashtu tha se falë punës dhe angazhimit të profesorëve, studentët të cilët diplomojnë në këtë fakultet arrijnë të punësohen në institucionet mësimore, në organizatat që merren me sistemet për kontrollin e cilësisë si dhe në institucionet që merren me hulumtime të ushqimit.
Ndërsa Rektori i Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Fadil Millaku, dhe Dekani i Fakultetit të Agrobiznesit, Prof. Dr. Nexhdet Shala, e falënderuan Prof. Dr. Xhezair Idrizin për vizitën, duke shpresuar se në të ardhmen nuk do të mungojnë takime të tilla dhe se bashkëpunimi mes dy institucioneve do të thellohet dhe do të plotësohet me aktivitete të përbashkëta arsimore e shkencore.

Marketing