Në kremtimin e maturës pa automobila, kjo është porosia e Këshillit Republikan për Siguri në Qarkullimin Rrugor në prag të kremtimeve të maturës. Prej atje thonë se shqetëson mënyra e kremtimit të ahengjeve për maturë, me organizimin e garave të makinave, vozitje pa patentë shoferi, tejkalim i shpejtësisë dhe e gjithë kjo incizohet dhe publikohet në rrjetet sociale.
KRSQRR
“Statistika e qarkullimit rrugor dhe përvojat nga vitet e kaluara tregojnë se në ditët kur organizohen kremtimet e maturës rritet numri i aksidenteve rrugore”.
Pjesa e madhe e pjesëmarrësve në aksidente janë të rinj, maturantë që në shumicën e rasteve përfundojnë me plagosje të rënda, dhe jo rrallë edhe humbin jetën. Përgjegjësia për sjelljet devijonte të maturantëve kryesisht është e të rinjve, por edhe e prindërve, thonë nga Këshilli i Qarkullimit Rrugor. Edhe nga MPB apelojnë që prindërit në këtë periudhë të kremtimeve mos ua japin makinat fëmijëve të tyre, e as të lejojnë ata të voziten nga bashkëmoshatarët e tyre. Nga MPB paralajmërojnë kontrolle të shtuara, sidomos për aksidente rrugore për shkak të vozitjes në gjendje të dehur.
“Sidomos kjo porosi tani është për të rinjtë- maturantët që i organizojnë kremtimet e maturave dhe sidomos për prindërit e tyre. Mos ua jepni automobilat fëmijëve tuaj. Ka kompani taksish, ose dërgoni ju fëmijët tuaj dhe ktheni prapë nga kremtimi në mënyrë që kremtimi të jetë i bukur dhe në fund të gjithë ne të jemi të sigurt”- deklaroi Toni Angellovski, zëdhënës i MPB-së
Të dhënat e Organizatës botërore të shëndetësisë tregojnë se aksidentet rrugore janë një nga shkaqet kryesore të vdekjeve te të rinjtë. Në vit në botë nga aksidentet rrugore vdesin rreth 400 mijë të rinj. Përgjithësisht ky trend i aksidenteve shënon ulje krahasuar me vitet e kaluara. Megjithatë, analizat e MPB-së në nivel vjetor tregojnë se numri më i madh i vdekjeve në aksidente rrugore në rrugët e Maqedonisë është në muajt korrik dhe gusht.
ALsat