Bekim Jashari i kundërpërgjigjet Arbana Xharrës pas akuzave që i bëri

Bekim Jashari i përgjigjet kritikave të Arbana Xharrës për takimin me përfaqësuesin nga Lindja e Mesme.

Marketing

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, i është përgjigjur kritikave të gazetares Arbana Xharra lidhur me takimin dhe fotografinë në zyre të komunës me një përfaqësues nga Lindja e Mesme, konkretisht Kuvajti.

Me anë të një postimi në Facebook, Jashari ka thënë se në komunën e Skenderajt janë veç dy shtete që i kanë dyert e mbyllura, dhe ato janë Serbia dhe Rusia, shkruan lajmi.net.

Siç është shprehur ai, secili person që ndihmon komunën dhe ka vullnet pozitiv, është i mirëseardhur.

Ai ka sqaruar se personi që ka takuar në komunë ka qenë nga Kuvajti, shtet ky që ka njohur pavarësinë e Kosovës, një humanist që ka ndërtuar Qendra të Mjekësisë Familjare dhe donacione të tjera.

“Shteti ynë ka miq e përkrahës të shumtë në botë, shtetet islamike kanë përkrahur e po përkrahin në vazhdimësi popullin dhe shtetin tonë, andaj çdo tendencë për të sulmuar miqtë tonë në baza fetare është dashakeq dhe nuk i shërben traditës, historisë, identitetit dhe të ardhmes sonë shtetërore”, ka shkruar Jashari.

Ndryshe, gazetarja Arbana Xharra më herët gjatë ditës e quajti “turp” faktin që një përfaqësues nga Lindja e Mesme fotografohet para fotografisë së Adem Jasharit.

Postimi i plotë i Bekim Jasharit:

E kam thënë disa herë dhe po e përsëris, janë vetëm dy shtete që i kanë dyert e mbyllura në komunën Skenderaj, ato janë Serbia dhe Rusia.

Çdokush tjetër që ka vullnet dhe ndihmon komunën dhe qytetarët tonë pavarësisht përkatësisë fetare e etnike është i mirëseardhur në komunën që unë udhëheq.

Për informimin e drejtë të opinionit publik, personi që ditën e enjte kam takuar, është një qytetar nga Kuvajti (shtet që ka njohur pavarësinë e Kosovës), një humanist që në disa komuna ka ndërtuar Qendra të Mjekësisë Familjare dhe donacione tjera për qytetarët me kushte jo të mira ekonomike.

Në Skenderaj ka ardhur për të ndërtuar qendrën rehabilituese për personat me nevoja të veçanta, qendër kjo shumë e nevojshme për të cilën tash e 22 vite pas luftës askush nuk u interesua të ndertojë.

Për më tepër ne jemi shtet demokratik që respekton secilin individ pavarësisht përkatësive andaj askush nga Ne nuk duhet të paragjykojë mbi baza fetare e etnike.

Shteti ynë ka miq e përkrahës të shumtë në botë, shtetet islamike kanë përkrahur e po përkrahin në vazhdimësi popullin dhe shtetin tonë, andaj çdo tendencë për të sulmuar miqtë tonë në baza fetare është dashakeq dhe nuk i shërben traditës, historisë, identitetit dhe të ardhmes sonë shtetërore.