Emin Azemi: Rama Kurti dhe Ahmeti zotrues absolut të politikës shqiptare në Ballkan

A MUND TA BËJNË KËTA “KOMONVELTIN SHQIPTAR”?

Marketing

EMIN AZEMI

Një fotografi mund të ketë dy dimensione komunikimi: edhe kurtoazinë edhe porosinë.
Fotoja e mëposhtme është ideuar, fillimisht, si kurtoazi, por në vetvete ka një porosi. Deshifruesit e porosive nuk e kanë shumë zor të shkruajnë lloj-lloj diçiturash, por një latmotiv që përshkon këtë foto mbetet të dëshmojë në praktikë nevojën për të qenë bashkë, edhe atëherë kur vijmë nga llogore të ndryshme politike e ideologjike, përtej inateve e egoizmave…
Forumi i Prespës kishte për qëllim të përçojë mesazhe eurointegruese, por liderët shqiptarë përtej këtyre mesazheve lexuan drejt momentin që të tejkalojnë vetveten në favor të së mirës së përgjithshme.
Edi Rama, Albin Kurti dhe Ali Ahmeti aktualisht janë zotëruesit absolut të skenës politike shqiptare në Ballkan dhe është shumë e natyrshme që ata jo vetëm për kurtoazi por edhe për ndonjë ‘Komonvelt të ardhshëm shqiptar’ të takohen dhe të skicojnë linjat e rrugëtimit të përbashkët ekonomik, kulturor, diplomatik, dhe gjithsesi në frymën e integrimeve EuroAtlantike….
Kosova e ndodhur përballë Serbisë në dialogun e Brukselit do të dilte më e fuqishme nëse liderët shqiptarë në Ballkan demonstrojnë një vullnet plebishitar për të ndihmuar këtë proces të vështirë përmes aksioneve të përbashkëta lobuese e diplomatike në qendrat kryesore të botës.
Le të jetë kjo foto nga Ohri një motiv më shumë për një harmonizim qëndrimesh në të ardhmen.

Kjo edhe për faktin se shqiptarët janë faktori i vetëm në Ballkan që krijon baraspesha gjeopolitkike duke iu kundrvënë aspiratave ruse e serbe për dominim të politkave të tyre antiperendimore.
Me shqiptarët e rreshtuar nga Europa dhe Amerika, Ballkani Perendimor fiton një dimension më domethënës në rikonfigurimin e vet gjeopolitik, kurse vetë shqiptarët fitojnë vendin e tyre që e meritojnë – në familjen e madhe europiane.