Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev priti në takim ish gjeneralin e SHBA-ve dhe ish komandat i forcave të përbashkëta të NATO-s për Europë, Vesli Klark.
Në takim, në të cilin gjithashtu mori pjesë edhe zëvendëskryetari për luftë kundër korrupsionit, zhvillimit të qëndrueshëm dhe burimeve njerëzore, Ljupço Nikollovski, u diskutua për realitetin e ri për Maqedoninë e Veriut dhe rajonin pasi vendi dhe disa vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë anëtare të NATO-s.
Kryeministri Zaev theksoi anëtarësimin në NATO si realizim i qëllimit strategjik të vendit që përcakton pozitën gjeostrategjike të Maqedonisë së Veriut në rajon dhe në planin ndërkombëtar, si dhe përfitimet nga sigurimi i sigurisë që krijuan kushte dhe nxitën një numër të madh të investimeve të huaja dhe progresin ekonomik.
Ish gjenerali i SHBA-ve dhe ish komandant i forcave të përbashkëta të NATO-s për Europë, Vesli Klark, theksoi se deri më tani, pasi përfundoi karriera e tij ushtarake, ai është plotësisht i përkushtuar si biznesmen për të mbështetur zhvillimin e vendeve në rajon dhe vendeve të Evropës Juglindore për sa i përket lidhjes së tyre ekonomike me investitorët nga SHBA dhe Europa, dhe veçanërisht në mbështetjen e qeverive në luftën kundër korrupsionit dhe ekonomisë hije.
Si ekspert me përvojë për rajon dhe politikat për tërheqjen dhe mbështetjen e investitorëve të huaj në Maqedoninë e Veriut, ish gjenerali Klark tha në takim se në periudhën e ardhshme ai do të stimulojë interesin e kompanive amerikane për të investuar në vendin tonë.