Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive bashkë me kryeministrin Zoran Zaev dhe delegacionin e lartë qeveritar me homazhe në varrezat e Butelit përkujtuan një ndër momentet më të rënda të historisë së Shkupit, 58 vjetorin e tërmetit katastrofal dhe mbi 1000 qytetarët që nuk arritën t’i mbijetojnë goditjes së befasishme të atij mëngjesi të kobshëm më 26 Korrik të vitit 1963.
Në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook, Grubi potencoi rëndësinë e përkujtimit të këtij momenti tragjik dhe të sfidave për tejkalimin e asaj situate jashtëzakonisht të rëndë për qytetarët e asaj kohe.
“Me guxim, punë, vendosmëri dhe përkrahje të jashtëzakonshme të vendeve mike, Shkupi u rindërtua më i fuqishëm! E kujtojmë gjithmonë këtë moment dhe sfidat e tejkalimit të asaj situate jashtëzakonisht të rëndë për qytetarët e asaj kohe, për të reflektuar se duke qenë bashkë me njëri – tjetrin, arrijmë të ringrihemi më të fuqishëm pas çdo sfide që na godet.” – është shprehur Grubi.