Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ishte sot pjesë e panel diskutimit me temë “20 vjet pas Ohrit” të organizuar nga ana e Universitetit të Tetovës në kuadër të organizimeve për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Pjesë e këtij panel diskutimi ishin: Prof. Dr. Dejvid Filips nga Universiteti i Kolumbisë, Dr. Paskal Milo nga Universiteti i Tiranës, Dr. Arsim Bajrami nga Universiteti i Prishtinës, si dhe Dr. Shefik Shehu, Dr. Ibish Kadriu dhe Dr. Sheruze Osmani Ballazhi nga Universiteti i Tetovës.
Në fjalimin e tij Grubi potencoi rrugëtimin sfidues të legalizimit të Universitetit të Tetovës, rezistencën dydekadëshe dhe sakrificat e shumta për realizimin e kësaj ëndrre kombëtare.
“Më 18 mars të vitit 2003, z. Ahmeti nënshkroi marrëveshje me përfaqësuesit e Universitetit të Tetovës për fillim të procedurës për legalizim me ç’rast u forma një komision pune shtatë anëtarësh. Ca muaj më vonë dhe nëntë vite pas themelimit, më 15 shtator, Qeveria e vendit miratoi propozim ligjin për legalizimin e universitetit. Të premtën, më 16 janar të vitit 2004, me fillim në ora 11:10 minuta, Kuvendi i Maqedonisë mbajti vazhdimin e parë të seancës së 51 në rendin e ditës të së cilës diskutoheshte mbi propozim ligjin për themelimin e universitetet shtetëror të Tetovës. Një zonjë deputete e opozitës do të thoshte, me këtë ligj, legalizohet parauniversiteti nga Reçica e vogël, për të shtuar që me ketë ligj bëhet dezintegrim i vendit dhe hapet dera për ndarje të vërtet dhe segregim të Maqedonisë. Një deputete tjerë do të thotë: unë me asnjë çmim nuk do ta dërgoj fëmiun tim në universitetin e Tetovës edhe me kushtin e shkatërrimit të vizionit të tij për arsimin universitar. I treti do të thotë, në një livadh po bëjmë universitet shtetëror ku do të funksionojnë 13 fakultete. Ju kujtohen besoj
britmat, përplasjet e enëve të kuzhinës, fishkëllimat dhe protestat kundër miratimit të ligjit. Ju kujtohet gjithë ajo rezistencë e paarsyeshme. Dhe me të vërtetë, pas çdo vështirësie vjen lehtësimi. Shifeni sot ku jemi. Universitet me kushtet ndër më të mirat në Europën juglindore që po rritet çdo ditë e më shumë dhe po arrin majat akademike”, u shpreh Grubi.
Mes tjerash, ai theksoi se Universiteti i Tetovës është fryt i shëndoshë dhe i qëndrueshëm, me vlerë i Marrëveshjes së Ohrit por me themele edhe më të hershme duke kujtuar edhe sakrificën e Abdulselam Eminit dhe shumë veprimtarëve të arsimit për të themeluar universitetin.
“Nga perspektiva e sotme, kur ne po flasim për të arriturat e mëdha të përbashkëta si rezultat i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, są e pakuptimtë duket rezistenca dydekadëshe kundër të drejtave themelore për gjuhë, arsim, kulturë, identitet, barazi. Po shënojmë 20 vjetorin e marrëveshjes së Ohrit të dashur miq dhe po gëzohemi bashkë për të arriturat nga të cilat përfitoi vendi, përfituan qytetarët dhe më me rëndësi nga të gjitha, nuk humbi askush”, tha Grubi.
Ai informoi dhe shprehu kënaqësinë se çdo institucion i themeluar nga ose edhe i ndërlidhur me Marrëveshjen e Ohrit po organizon manifestime për ta shënuar dhe kremtuar këtë arritje të përbashkët të të gjithë neve duke thënë se kjo e bën shumë të lumtur. Grubi shprehu mirënjohje për organizimin e kësaj ngjarje dhe vlerësim ndaj të gjithë punës së palodhshme që po e bën stafi akademik i Universitetit të Tetovës nën drejtimin e rektorit Ameti.