Fillon Samiti i Kazanit 2021, mblidhen ekspertë nga Rusia dhe bota islame

Sot në Kazan, kryeqytetin e Tataristanit, ka filluar samiti ndërkombëtar ekonomik i cili ka mbledhur profesionistë të ekonomisë nga Rusia dhe bota islame, raporton Anadolu Agency (AA).

Marketing

Samiti i Kazanit 2021, në të cilin AA është partneri global i komunikimit, filloi me ceremoninë e hapjes së panairit “Russia Halal Expo”.

Samiti treditor do të zgjerohet për të tërhequr më shumë investitorë dhe palë të interesuara, tha Presidenti i Tatarstanit Rustam Minnikhanov gjatë fjalës së tij.

“Ne (me Federatën Ruse) jemi të përkushtuar për ta çuar ngjarjen në një nivel të ri”, tha Minnikhanov, duke shtuar se ngjarja do të jetë e frytshme dhe premtuese.

Me qëllim të përmirësimit të lidhjeve tregtare dhe ekonomike, shkencore-teknike, sociale dhe kulturore midis Rusisë dhe vendeve anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam, Samiti i Kazanit ka tërhequr më shumë se 4.000 vizitorë.

Ngjarja synon gjithashtu të promovojë zhvillimin e institucioneve financiare islame në Rusi.

Nga ana tjetër, Maksim Reshetnikov, ministri rus i Zhvillimit Ekonomik, u zotua se nismat e marra gjatë aktivitetit do të “mbështeten shumë” në nivelin federal.

Duke theksuar se 20 milionë muslimanë jetojnë në Rusi, Reshetnikov tha: “Është një treg i madh që ofron një mundësi të madhe për kompanitë globale në këtë ngjarje dhe në vend”.

Mücahit Kücükyılmaz, këshilltar presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan, shtoi se pandemia ka rritur kërkesën për produkte hallall, dhe koncepti i hallallit ka filluar të jetë efektiv në të gjitha aspektet e tregtisë.

Duke theksuar se vëllimi i tregtisë në fushën e produkteve hallall ka tejkaluar shifrën 4 trilionë dollarë, Kücükyılmaz tha se ky numër pritet të vazhdojë të rritet.

Ihsan Övüt, kreu i Institutit të Standardeve dhe Metrologjisë për Vendet Islame, tha se ky sektor është bërë tendencë në rritje midis jo vetëm muslimanëve, por edhe jomuslimanëve.

“Hallalli nuk është opsion për ne, është domosdoshmëri”, tha Övüt, duke shtuar se standardet hallall kanë tërhequr më shumë vëmendje gjatë pandemisë.

Edicioni i 12-të i botës Ruso-Islame: KazanSummit 2021 ka mbledhur së bashku përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, autoritete publike, institucione financiare, ambasada, parlamentarë, investitorë dhe biznesmenë, menaxherë të lartë të kompanive ruse dhe të huaja.

Ngjarja, e organizuar nën moton “konsum i vetëdijshëm”, përqendrohet në diskutimin e financave të partneritetit, industrisë hallall, diplomacisë së të rinjve, mjekësisë, sporteve, industrive krijuese, zhvillimit të eksportit, biznesit dhe investimeve.