Rama, Zaev dhe Vuçiq takohen sot në Shkup, pritet t’i ndryshohet emri “minishengenit”

Iniciativës së shteteve të rajonit, e cila u paraqit për publikun si “minishengen”, pritet t’i ndërrohet emri gjatë ditës së sotme.

Marketing

Këtë e ka paralajmëruar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev do të takohet sot me homologun nga Shqipëria Edi Rama dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç në Shkup në kuadër të Forumit Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal.

Mbi 300 kompani nga të tre vendet por edhe shtete të tjera te rajonit janë pjesëmarrëse.

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, bëri me dije se do të ndryshohet emri i ri i nismës që deri më sot e njohim si minishengeni, por është kontestuar deri tani nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk ka marrë pjesë në asnjë takim.

Për këtë emër kanë qenë skeptikë edhe Bosnja e Mali i Zi pasi disa herë i janë bashkuar tryezave të mëparshme.

“Janë disa vendime, marrëveshje për tu nënshkruar, është dhe një Forum Ekonomik me komunitetin e biznesit dhe vazhdojmë punën”, ka thënë Rama.

Ai ka treguar pse do i ndërrohet emri kësaj iniciative.

“Shengeni Rajonal është vetëm korniza e një formule që është formula e BE, pra korniza e katër lirive të BE, lëvizja e lirë e njerëzve, mallrave, e shërbimeve dhe kapitalit. Duke qenë se shumëkush është kapur pas këtij emri dhe është menduar që të ketë një emër tjetër thjesht si nisëm, unë mendoj se kush do të kapet me emrin, do të kapet prap me emrin, nuk është se do të zgjidhet gjë nga kjo anë”, ka thënë ai.

Edhe presidenti serb, ka folur për ndryshimin e emrit të kësaj iniciative rajonale.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thotë se emri i ri i nismës rajonale, i cili deri më tani njihej si “Mini-Shengen”, do të shpallet sot.

“Nesër do të mësoni emrin e vërtetë të kësaj nisme dhe si do të quhet në të ardhmen,” u tha Vuçiq gazetarëve dje pasi mbërriti në një vizitë dy-ditore në Shkup, ku do të takohet me Edi Ramën dhe Zoran Zaev si pjesë e iniciativën të quajtur Mini-Shengen.