Kuka: Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë

Trajneri i xhudos Driton Kuka ka thënë se ende po i duket si ëndërr që pesë garuesit e tij në “Tokio 2020” kanë arritur të fitojnë dy medalje të arta olimpike.

Marketing

Distria Krasniqi e Nora Gjakova fituan të arta në Tokio, Akil Gjakova përfundoi i shtati, ndërsa Majlinda Kelmendi e Loriana Kuka u mposhtën në luftërat e para.

“Samurajët shqiptarë. Medaljet olimpike për popullin shqiptar së shpejti do të zbarkojnë në trojet shqiptare. Xhudistët e ekipit tonë me sot i përfunduan garat në Lojërat Olimpike! Dy medalje të arta! Ende po më duket si ëndërr e mirë, 5 garues e dy të arta! Medaljet janë të krejt ekipit me protagoniste Disin e Norën! Ashtu siç ishte edhe e arta e Majlindës. Ekipi jemi ne që stërvisin, gëzohemi e qajmë së bashku në fitore e humbje, aty qëndron forca jonë e madhe! Kemi në krye Agronin që çdo ditë duron tekat e mia të trajnerit, por kjo krejt është shpaguar. Dy olimpiada e tri medalje të arta! Me dhjetëra medalje evropiane e botërore. Këta jemi ne! I gëzofshim medaljet të gjithë ne shqiptarët kudo që jemi! Jam mirënjohës miq për aq shumë mesazhe e urime prej dhjetëra mijëra miqve. Ata që kanë menduar se medalja e artë e Majlindës është e para dhe e fundit, jeni mashtruar në llogari! S’po flas me sojin e juaj, se s’dua ta prishi festën e madhe! E kam thënë edhe më herët. Me ujë, zjarr e xhudon e Kosovës s’ka lojë. Kosova mbi të gjitha”, ka shkruar Kuka në Facebook.