Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi ishte i pranishëm në seancën e sotme solemne të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të organizuar në suaza të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në vijim mund të gjeni fjalimin e plotë të Zëvendëskryeministrit të parë z. Artan grubi në seancën solemne të Komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive:
I nderuar kryetar i Kuvendit, kryetar i Komitetit, të nderuar deputet, të nderuar, ministra, media, të dashur qytetar.
Nuk e nis dot kapitullin e ardhshëm të jetës pa e mbyllur të fundin. Më 20 nëntor të vitit 2001, Gazeta Zyrtare boton 15 amandamente kushtetuese, nga dikush të konsideruara heretike, nga të tjerë profetike. Amandamentet u miratuan nga ky Kuvend, katër ditë më parë, më 16 nëntor 2001.
Kjo foltore, pikërisht kjo këtu, është dëshmitare autentike e kohës dhe mban mend çdo fjalë të dhënë, çdo përplasje, çdo ngritje zeri, çdo histeri dhe eufori dhe në fund mban mend edhe shpalljen e rezultatit të votës përfundimtare për ta ndryshuar Kushtetutën në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit.
Nëse e shifni nga afër dhe në thellësi, kjo foltore dëshmon në mënyrë skenike grithmat, djersët, ëndrrat, makthet, drojat, hezitimet, pasigurinë, të rënët, invalidët, familjet e tyre, por në skajet e veta e shihni edhe sythin e dëshirës që dielli ynë të nis lindjen në perendim, aty diku në Bruksel, në Uashington, aty ku është më mirë, më ngrohtë, ku e kemi oxhakun e shtepisë së përbashkët dhe ku ndjehemi si në shtëpi.
Një nga ato 15 amandamentet e shprehura në këtë foltore në nëntorin e 2001-shit themeloi edhe Komitetin për marrëdhënie midis bashkësive si shtëpia e barazisë, konak i Marrëveshjes së Ohrit, si shembëlltyra e shoqërisë tonë, si refleksion i rrugëve tona, i kafeve të përbashkëta, i kalldermave të Çarshisë ku secili nga gurret mban nga një emër dhe ka peshën e bashkëjteteses ndër shekuj.
Më 10 gusht të vitit 2001, në villën Biljana të Ohrit, pas një muaji negociatash dhe disa muajsh konflikt, u parafua Marrëveshja e Ohrit. U nënshkrua me 13 gusht në Shkup.
Dje, një gazetar më pyeti rreth Marrëveshjes së Ohrit dhe përgjigja ime ishte që vërtet, pjesa normative e marrëveshjes është miratuar, por zbatimi i saj është i përjetshëm, i përditshëm, në çdo veprim sepse Kushtetuta dhe ligjet zbatohen çdo ditë, e Marreveshje e Ohrit është Kushtetutë dhe ligj.
Kjo foltore mban mend edhe zhurmën dhe histerinë për ligjin për ndarjen teritoriale, për decentralizimin, për simbolet, për universitetin shtetëror të Tetovës dhe shumë ligje tjera që buruan nga Marrëveshja e Ohrit, përfshirë edhe debatin për ligjin për përdorimin e gjuhëve në komisionin për çështje europiane të cilin kisha nderin ta drejtoj gjatë miratimit të ligjit që rrumbullakësoi pjesën normative të Marrëveshjes së Ohrit.
Nga kjo foltore i friguam qytetarët se ky vend do të ndahet, se do të bëhet Shqipëria e madhe, se do ti ndrohet karakteri shtetit, se do të pushon së ekzistuari ky vend. Shifeni se ku jemi sot, asgjë e keqe nuk i ndodhi vendit tonë, askush nuk humbi, të gjithë fituan, edhe maqedonasit, edhe shqiptarët, edhe romët, edhe turqit, edhe serbët, edhe vllehët edhe boshnjakët dhe të tjerët.
Fituan të gjithë qytetarët. Fitoi vendi ynë. Sot jemi vend anëtar i NATOsë dhe me dritë jeshile për fillimin e negociatave me Bashkimin Europian, sot askush nuk flet për ndarje, por për integrim, sot askush nuk flet për luftë, por për paqë, askush nuk flet për majorizim, por për barazi.
Kapitulli i ardhshëm, kapitulli i përtej Ohrit, nis të shkruhet me 13 gusht të vitit 2021. Kush nga ne e ka guximin e 2001-shit, dijen e 2021-shit dhe ëndrrën për 2041-shin, është i thirrur që bashkarisht ta ndërtojmë këtë vend, euroatlantik dhe të barabartë për të gjithë.