Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem
Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Artan Grubi ishte i
pranishëm sot në ceremoninë solemne të ndarjes së 65 çertifikatave për
përkthyesit e institucioneve shtetërore që me sukses përfunduan
trajnimin e organizuar nga ana e Agjencisë për zbatimin e gjuhës për
përkthim dhe lektorim në gjuhën shqipe dhe gjuhën maqedonase. Kjo
ngjarje u organizua në kuadër të programit për shënimin e 20 vjetorit të
Marrëveshjes së Ohrit.
“Gjuha është pasuri, është kod identiifkimi. Gjuha dhe e drejta e
përdorimit të saj është një nga katër shtyllat kryesore të Marrëveshjes
së Ohrit dhe beteja kishte nisur që nga shpallja e pavarësisë së këtij
vendi me gjenerata të tëra. Arriti të bëhet pjesë normative me
marrëveshjen e Ohrit nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese në vitin 2002,
por kjo betejë për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në RMV zgjati gati se dy
dekada, me tre përpjekje të njëpasnjëshme për miratim të Ligjit për
përdorimin e gjuhës duke e avancuar atë në etapa një pas një dhe gjithë
kjo ka të bëjë me drojën e individëve të nxitur nga elitat politike se
përdorimi i gjuhës së njërit mund të cënoj përdorimin e gjuhës së
tjetrit. Sot nga kjo prespektivë, pas miratimit të Ligjit për përdorimin
e gjuhës e shohim që kjo ishte vetëm nxitje dhe ndjellje e frikës dhe
propagandë për qëllime të politikës ditore, për arsye se me miratimin e
Ligjit për përdorimin e gjuhës, as nuk u shpërnda Republika e Maqedonisë së Veriut, as nuk u federalizua e nuk humbi asnjë njeri, por përfituan qytetarët dhe shteti, se sa më lojal të jetë shteti ndaj komunitetit dhe e kundërta dhe sot ne shqiptarët dhe të tjerët jemi më lojal ndaj shtetit.” – deklaroi Grubi në fjalimin e tij me rastin e kësaj ngjarje.
Grubi poashtu ka shprehur mirënjohje ndaj punës së agjencisë dhe
drejtorit Ylber Sela, në veçanti për organizimin e këtyre trajnimeve si
iniciativa të dobishme dhe të nevojshme institucionale.