Visar Ganiu priti ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla. Gjithashtu u shpalos edhe emri i rrugës së re në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, rrugë kjo e cila mban emrin e veprimtarit Jusuf Gërvalla.
Së bashku me ministren e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla dhe njëherësh e bija e veprimtarit Jusuf Gërvalla dhe ministrin e Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, deputeten e zonës nga radhët e BDI-së, Merita Koxhaxhiku, nënkryetaren e Aleancës për Shqiptarët dhe njëherësh këshilltare komunale, Bujare Abazi, kryetarin e degës së ASH-së në Çair, Zudi Koka, drejtorin e Shtëpisë së Shëndetit-Shkup, Besim Koka, anëtarin e kryesisë Qendrore të BDI-së dhe ish-kryetar i Ligës së Boshnjakëve dhe dy mandate deputet, Rafet Muminoviq , zv/sekretarin e Qytetit të Shkupit, Aziz Maksuti, Besnik Ajetin koordinator i grupit të këshilltarëve të BDI-së në qytetin e Shkupit, sikurse edhe drejtorë të shkollave dhe qytetarë, sot shpalosëm tabelën me emrin e ri të rrugës “Jusuf Gërvalla” në hyrje të Çarshisë së Vjetër të Shkupit.
Me këtë rast shpreha falënderimin dhe kënaqësinë që ministrja Gërvalla na nderoi me pjesëmarrjen e saj në aktin e shpalosjes së emrit të ri të rrugës.
Gjithashtu përkujtova se me vendosjen e emrit të Jusuf Gërvallës në këtë rrugë të Komunës së Çairit, çdo ditë do ta kujtojmë veprimtarinë e njeriut që aq shumë e deshi kombin, lapsin, fjalët e bukura e muzikën. Jusuf Gërvalla kishte edhe një lidhje të veçantë me Shkupin, sepse një kohë të konsiderueshme punoi si gazetar pikërisht këtu.
Ministrja e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, ndërkaq u falënderua pa masë për këtë akt të nderimit të babit të saj, veprimtarit Jusuf Gërvalla.
Së bashku vizituam edhe Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe ndaluam tek murali i punuar me mozaik në Sheshin Skënderbeu, ku gjendet edhe figura e Jusuf Gërvallës.