Grubi: Struga e sotme është rezultat i Marrëveshjes së Ohrit

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi sot ka marrë pjesë në Panel diskutimin me temë: “….pas Marrëveshjes së Ohrit”, nën
organizim të komunës së Strugës në bashkëpunim me ministrinë për Sistem
Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.

Marketing

Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi theksoi e me rastin e 20
vjetorit të Marrëveshjes së Ohrit janë organizuar një sërë ngjarjesh
kushtuar këtij dokumenti që solli paqen në vend dhe avancoi të drejtat e
shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike. Ai më tej tha se Komuna e
Strugës është rezultat i Marrëveshjes së Ohrit dhe sot fal këtij
dokumenti kemi komuna më të fuqishme dhe më të zhvilluara.

“Duke ardhur këtu rrugës po lexoja, po hulumtoja pak rreth situatës për
miratimin e Ligjit për ndarjen territoriale, dhe nëse ju kujtohet
banorëve të Strugës protestat, rreth 20.000 njerëz kishin dalë në rrugë,
në rrugët e Shkupit për të protestuar kundër Ligjit për ndarjen
territoriale, ndërsa diku mbi 2000 qytetarë kishin ardhur këtu para
selisë së Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë për ta ngujuar ministrin
e atëhershëm të mbrojtjes, z. Vllado Buçkovski për arsye se refuzonin
ndarjen e re territoriale të qytetit të Strugës, përfshirjen të komunave
rurale përreth në mënyrë që shumica shqiptare për herë të parë të merr
dhe të qeverisë me komunën e Strugës. Por, nga perspektiva e sotme, pra
20 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, apo 17 vite pas ndarjes territoriale
ose 16 vite pas zgjedhjeve të para lokale ku u zgjodh Ramizi dhe u
zëvendësua Romeo, më tregoni a ishte më mirë atëherë apo është më mirë
sot? Nga kjo perspektivë nga e cila ne mund të gjykojmë me dallim kohor
15 vjeçar nga zgjedhjet, 16 vjeçar nga ndarja territoriale dhe 20
vjeçare nga Marrëveshja Paqësore e Ohrit. Nuk ndodhi asnjë gjë me
Strugën, as Struga nuk shkoi në Shqipëri, as Struga nuk u bashkua me
ndonjë komunë tjetër, por përkundrazi u demonstrua që një shqiptar në
një komunë me shumicë shqiptare mund të menaxhojë shumë mirë me komunën
dhe të jetë kryetar komune edhe për shqiptarët edhe për maqedonët, edhe
për turqit edhe për romët, të gjitha komunitetet të cilat jetojnë këtu”,
tha Grubi.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi, mes tjerash para të pranishmëve në
këtë Tryezë theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar në mbështetjen e
pushtetit lokal në realizimin e projekteve të shumta që përmirësojnë
kushtet për jetë të qytetarëve.

“Ne në Qeveri kemi energji jashtëzakonisht të madhe së bashku me Komunat
të realizojmë projekte të shumta, si Korridori 8, i cili Strugës do ti
ndihmojë në mënyrë shumë të veçantë dhe tashmë me kënaqësi ju lajmëroj
se Ligji tashmë ka kaluar në Kuvend, Qeveria javën e kaluar e solli
vendimin për ta obliguar ndërmarrjen e rrugëve për të shpallë tenderin
për përzgjedhjen e kompanisë e cila do të bëjë mbikëqyrjen dhe
konsulencën për arritjen e marrëveshjes. Vlerësoj se ky është një
projekt, ndoshta jo një projekt dekade por do ta kisha quajtur edhe
projekt shekullor. Pas realizimit të këtij, shpresojmë që gurëthemeli të
vëndohet brenda këtij viti, gati se në nëntor të këtij viti dhe të
përfundojnë punime në vitin 2024, ndërsa degëzimi deri në Qafë Thanë
deri në vitin 2025 sipas parashikimeve të Bechtelit. Pastaj sfidën e
rradhës lidhjen hekurudhore prej Kërçovës e deri në kufirin me
Shqipërinë, me ç’rast do e vëmë në përdorim edhe portin e Durrësit për
tregun tonë këtu në tregun e Maqedonisë së Veriut. Vlerësoj se janë
lajme shumë të mira, lajme të cilat ndoshta nuk i kemi trajtuar fare në
10 vjeçarin apo 20 vjeçarin e fundit, ndoshta pak edhe nga droja për të
ndërruar shumë e gjatë, por ama tashmë vlerësoj se pas rrumbullakësimit
të Marrëveshjes së Ohrit dhe pjesës normative të saj duhet ta gjejmë
guximin dhe dijen për tu përballuar me projekte kaq të mëdha, kaq
ambicioze, kaq të pabesueshme siç ishin për qytetarët e vendit tonë, por
jam i bindur se janë të realizueshme”, ka thënë Zëvendëskryeministri i
parë, Grubi.