Fshati Karaçevë i Kamenicës në brezin kufitar me Serbinë po vazhdon të ballafaqohet frikën nga xhandarët serbë.
21 vite pas përfundimit të luftës në Kosovë, banorët e fshatit Karaçevë të komunës së Kamenicës po vazhdojnë të rrezikohen nga xhandarmëria serbe, shkruan lajmi.net.
Netët e qytetarëve të këtij vendi tashmë janë shëndrruar në ankth, pasi shumë shpesh ata ballafaqohen me problemin për të mbrojtur tokat e tyre.
Kryetari i bashkësisë lokale dhe përfaqësuesi i banorëve të Karaçevës, Selver Lenjani, për lajmi.net është shprehur i shqetësuar se fshatrat e brezit kufitar të këtij vendi do të mbesin jashtë territorit të Kosovës, pas hyrjes se herë-pas-hershme të xhandarmërisë serbe aty.
Ai u shpreh se edhe pse që 21 vite çdo institucion i Republikës së Kosovës është informuar për këtë problem, askush nuk është marrur me këtë çështje, sa që i gjithë fati ka mbetur nën mëshirën e qytetarëve të këtyre fshatrave.
Lenjani thotë se hyrja e xhandarëve brenda territorit të Kosovës nuk është ndalur as kohëve të fundit.
“Që 21 vite çdo institucion e kemi lajmëruar për këtë problem, askush nuk është marrë me çështje, po kam frikë që e gjithë fati ka mbetur në mëshirën e banorëve të Karaçevës. Kam mbajtur edhe një takim me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, i kam kërkuar të pranojë një delegacion në Kuvendin e Republikës së Kosovës, që të merret një vendim i prerë dhe të merren me çështjen e brezit kufitar, kam frikën që fshatrat e këtij brezi do të mbeten jashtë territorit të Kosovës, ata vazhdimisht hyjnë brenda territorit”, tha ai për lajmi.net.
Lenjani i ka kërkuar presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit por edhe kryeministrit, Albin Kurti, që urgjentisht të kërkojnë nga Brukseli të mbrohet territori dhe sovraniteti territorial dhe të mbrohen tokat e Karaçevës, pasi hyrja e çfarëdo xhandarmërie që shkelë qetësinë e banorëve është e ndaluar sipas tij.
“Kërkoj urgjentisht prej presidentes, Vjosa Osmni, po edhe prej kryeministrit, Albin Kurti, që të dërgojë lutje në Bruksel dhe të kërkojë që të mbrohen brezi kufitar dhe sovraniteti territorial dhe të mbrohen tokat tona, në asnjë mënyrë nuk guxojnë të shkelin në tokat tona dhe të shqetësojnë qytetarët duke i’u krijuar probleme”, shtoi ndër të tjera për lajmi.net.
Kujtojmë se Karaçeva është zonë neutrale dhe e vetmja forcë që i lejohet të hyjë në atë zonë është KFOR-i, dhe se hyrja e xhandarmërisë serbe në këtë zonë nga banorët tash e disa herë është konsideruar provokim direkt.